Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar/Ja çfarë pritet!

vovalbania July 02, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar/Ja çfarë pritet!

Reuters

Më 4 korrik, Mbretëria e Bashkuar mban zgjedhjet kombëtare, që sipas sondazheve, pritet t’u japin fund 14 viteve të qeverisjes së udhëhequr nga Partia Konservatore. Por, si funksionon sistemi zgjedhor?

Britania e Madhe është e ndarë në 650 zona elektorale. Në secilën prej tyre, votuesit zgjedhin nga një kandidat lokal, që më pas do ta zërë një vend në Parlament. Votuesit zgjedhin një kandidat në fletën e tyre të votimit dhe fiton kandidati me më shumë vota. Zakonisht, ata janë pjesë e ndonjë partie më të madhe politike.

Për ta siguruar shumicën në Parlament, një parti duhet të fitojë të paktën 326 vende. Lideri i partisë që e arrin këtë numër bëhet kryeministër e formon qeverinë. Nëse asnjë parti e vetme nuk fiton shumicën, kryeministri në detyrë qëndron në pushtet dhe i jepet mundësia e parë të formojë një kabinet duke  ndërtuar një koalicion ose duke qeverisur si pakicë.

Kush mund të votojë dhe si?

Votuesit duhet të jenë të paktën 18 vjeç në ditën e votimit e po ashtu, të jenë shtetas britanikë, irlandezë ose të Komonuelthit. Rreth 50 milion persona janë regjistruar për të votuar. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7 e mëngjesit e deri më 22:00, sipas orës lokale. Votimi mund të bëhet duke shkuar në vendvotime, me postë apo përmes një përfaqësuesi. Për të votuar, votuesi duhet të ketë me vete një dokument identifikues me foto.

Këto janë zgjedhjet e para kombëtare, në të cilat kërkohet një gjë e tillë, megjithëse ishte vendosur si rregull për zgjedhjet lokale në vitin 2023. Qytetarët britanikë që jetojnë jashtë shtetit, gjithashtu do të kenë mundësinë të votojnë pavarësisht sa kohë kanë që jetojnë jashtë vendit. Tre milion qytetarë  britanikë mund të votojnë sipas Komisionit Zgjedhor.

Kur shpallen rezultatet?

Një sondazh do të publikohet nga mediat menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit. Njësitë zgjedhore nisin numërimin e votave sapo të mbyllen qendrat e votimit dhe rezultatet e para vijnë brenda disa orësh. Shumica e fituesve deklarohen brenda natës, ndonëse në disa zona rurale kjo zgjat më shumë, veçanërisht nëse rezultati është i ngushtë e kërkohet rinumërim. Edhe pse nuk jepet ndonjë deklaratë për ndonjë fitues të përgjithshëm, rezultati zakonisht është i qartë dikur mes orës 5 dhe 7 të mëngjesit.

Kur vendoset për kryeministrin e ri?

Sapo rezultati i përgjithshëm të jetë i qartë, nëse qeveria aktuale ka humbur, kryeministri do t’ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen, mbretit. Kjo pritet të ndodhë më 5 korrik. Më pas, udhëheqësi i partisë fituese do të takohet me mbretin, i cili do t’i kërkojë atij ose asaj të formojë qeverinë. Më tej, kryeministri i ardhshëm shkon në Downing Street për të mbajtur një fjalim para publikut.

Çfarë ndodh më pas?

Ditët në vijim, udhëheqësi i ri fillon emërimin e ministrave të qeverisë, duke nisur nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi. Parlamenti do ta rifillojë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit.

Çdo deputet, më pas bën betimin për besnikëri ndaj mbretit ose një pohim solemn (se do të thotë të vërtetën). Kjo procedurë zgjat disa ditë zakonisht.

Hapja Shtetërore e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit që përcakton programin e legjislacionit të qeverisë për seancën parlamentare bëhen më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga qeveria e ardhshme.

Kush pritet të fitojë?

Sondazhet tregojnë se Partia Laburiste e opozitës qëndron më mirë se konservatorët e kryeministrit aktual, Rishi Sunak. Sondazhi i YouGov-it ka parashikuar se laburistët mund të fitojnë 425 vende ndërsa konservatorët 108.

Ky rezultat do të shënonte numrin më të vogël të vendeve të fituara nga Partia Konservatore në historinë e saj gati 200-vjeçare. Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 202. Që atëherë, dorëheqjet, përjashtimet e disa zhvillime të tjera e reduktuan shumicën e konservatorëve. Tani që janë afruar zgjedhjet e vitit 2024, konservatorët kanë 344 vende dhe laburistët 205.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65685 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE