Arrestimi i Ilir Beqajt, në total u firmosën 7 urdhërarreste!

vovalbania July 04, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Arrestimi i Ilir Beqajt, në total u firmosën 7 urdhërarreste!

SPAK-u konfirmoi arrestimin e Ilir Beqajt dhe pritet të dalë me një njoftim. Paraprakisht bëri të ditur se është kryer arrestimi i tij, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ish-ministri i Shëndetësisë u prangos sot, nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e BE-së kur për 1 vit drejtoi Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik.

Fletëarreste u prenë dhe për 6 persona krahas Ilir Beqajt dhe u kryen kontrolle në banesat e zyrat e tyre: tre arrest me burg, dy arrest shtëpie, dy detyrim me paraqitje. Nuk ështe ekzektuar vetëm urdhërarresti për Gazment Haxhinë pasi ndodhet jashtë vendit. Mes të prangosurve është dhe bashkëpunëtori i Beqajt, Ermal Kurtulaj, koordinator i një projekti që menaxhohej nga agjencia e drejtuar prej ish-ministrit.

Qëndresa Qytetare përshëndet operacionin e fundit të SPAK-ut, por kërkon që hetimet skrupuloze të vijojnë dhe për çështjen e Sterilizimit, për të cilën Ilir Beqaj është lënë në detyrim për paraqitje e po hetohet për “Shpërdorim detyre”. “Të njëjtin standard, SPAK-u duhet të ndjekë edhe për abuzimet me fondet e IPARD-it, ku paratë e dedikuara për fermerët shkuan për politikanë e biznesmenë”, thekson Qëndresa Qytetare.

Më herët, në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Drejtësisë ushtruan kontroll në banesën e Beqajt, në kuadër të hetimit të ri që po kryhej për abuzimet me fondet e programit Eusair (Strategjia e Bashkimit Europian për Rajonin Adriatiko-Ionian), koordinator i të cilit ishte një person i lidhur ngushtë me të. Sipas hetimeve, në emër të këtij programi kërkoheshin dhe merreshin fatura fiktive në vlerë disa mijëra euro. Kjo për shërbime të pakryera “duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit”.

Në krye të Agjencisë, Beqaj u emërua në vitin 2021, pavarësisht dyshimeve që ishin ngritur ndaj tij për proceset e koncensioneve në Shëndetësi. Në nëntor të vitit të kaluar, ai dha dorëheqjen, pasi ndaj tij u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i udhëtimit jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për rastin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65098 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE