Kazakistan, Bjellorusia pranohet në SCO!
Samiti dyditor i Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, liderët e Kinës, Rusisë, Turqisë, Pakistanit, të katër prej pesë ish-republikave sovjetike nga Azia Qendrore, si dhe liderë të tjerë shtetërorë, sot vazhdojnë takimin në Kazakistan. SCO-ja është një grupim rajonal i promovuar nga Pekini dhe Moska, si alternativë ndaj ndikimit të Perëndimit.
Liderët nisën ditën e dytë e të fundit të samitit duke pranuar Bjellorusinë si anëtare të re. Ky vendim ishte i pritshëm dhe e çon më përpara liderin autoritar Alyaksandr Lukashenko në rrugën e tij antiperëndimore, pas zgjedhjeve të kontestuara të para katër viteve e që nxitën protesta masive në rrugë, si dhe një luftë brutale ndaj tyre.
Lukashenko synonte anëtarësimin e Bjellorusisë në SCO prej më shumë se një dekade. Në tre vitet e fundit është larguar dhe më shumë nga Perëndimi duke u afruar me Moskën, me vendimet për t’i “armatosur” emigrantët nga vendet e treta në kufirin e Bjellorusisë me fqinjët e saj që janë pjesë e Bashkimit Europian e për t’i lejuar trupat ruse të kryejnë pushtimin e plotë të Ukrainës nga territori bjellorus.
Lukashenko e quajti “historik” anëtarësimin e Bjellorusisë në SCO. Ai theksoi nevojën “për ta shkatërruar botën njëpolare” dhe për të marrë përsipër përgjegjësinë për “sigurinë globale”, se siç tha “Perëndimi narcist është i paaftë për këtë”.
Analistët thonë se Lukashenko shpreson që anëtarësimi në SCO do të rrisë e zgjerojë bashkëpunimin shumë të nevojshëm tregtar dhe ekonomik të Bjellorusisë me Kinën, duke e ulur varësinë e regjimit të tij ndaj Moskës.
SCO-ja është organizatë politike, ekonomike, e mbrojtjes dhe sigurisë, e themeluar nga Kina dhe Rusia në vitin 2001. Me pranimin e Bjellorusisë, tani ka 10 vende anëtare, përfshirë Indinë e Pakistanin, që iu bashkuan më 2017-ën, si dhe Iranin që u anëtarësua vitin e kaluar.
Katër nga pesë ish-republikat sovjetike nga Azia Qendrore janë anëtare, po ashtu. Vetëm Turkmenistani nuk është pjesë e tij. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe lideri i Kinës, Xi Jinping, u takuan në ditën e parë të samitit në Astana.
Mediat ruse e cituan Putinin, i cili tha se SCO-ja “po e forcon rolin si një prej shtyllave kryesore të një rendi botëror të drejtë e shumëpolar”. Xi e quajti Putinin “mik të vjetër” në Astana. Ai përmendi “shpresat për miqësi ndër breza”, si përgjigje për “ndryshimin e vazhdueshëm të situatës ndërkombëtare”.