Balotazhi në Iran, iranianët votojnë për ta zgjedhur presidentin e ri!

vovalbania July 05, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Balotazhi në Iran, iranianët votojnë për ta zgjedhur presidentin e ri!

Iranianët po votojnë në balotazhin presidencial, pasi asnjë kandidat nuk ia doli të fitojë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur president i ri në raundin e parë të 28 qershorit, kur dalja në zgjedhje shënoi rënie rekord. Votimi po mbahet në një kohë kur iranianët po përballen me mungesë të lirisë, me kushte të këqija të jetesës e me një ekonomi të dobësuar.

Në këto zgjedhje të thirrura pas vdekjes së Ebrahim Raisit në një aksident ajror më 19 maj, iranianët duhet të zgjedhin mes reformatorit e ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, si dhe ish-kryenegociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Jalili shërben si përfaqësuesi personal i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei në Këshillin e Lartë për Sigurinë Kombëtare (SNSC). Ai ishte sekretar i këtij këshilli në vitet 2007-2013, kohë kur drejtoi delegacionin e Teheranit në bisedimet e dështuara me Perëndimin për programin bërthamor të Iranit.

Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 e 2020 kur reformatorët e të moderuarit gëzonin shumicën në parlament. Ai i ka vënë në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë. Pezeshkian ka folur gjithashtu, në favor të bisedimeve me Perëndimin.

Megjithatë, ai mbështet parimet e Republikës Islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president. Rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, por mund të ketë ndikim te pasuesi i Khameneit, 85-vjeçarit i cili është në krye të vendit prej vitit 1989.

Në raundin e parë të zgjedhjeve morën pjesë vetëm 39.9% e votuesve, pavarësisht thirrjeve të Khameneit për pjesëmarrje të lartë, për të mbrojtur imazhin e një Irani të fuqishëm, ku populli i tij mbështet lidershipin politik.

Pezeshkian e fitoi raundin e parë me 10.5 milion vota, ndërsa Jalili doli i dyti me 9.5 milion. Por, Pezeshkian përfitoi edhe nga ndarja e votës konservatore, sepse kandidati tjetër konservator, Mohammad Baqer Qalibaf fitoi 3.4 milion vota e tha se në balotazh mbështet Jalilin.

Por, nuk ka garanci që votat e Qalibafit do t’i shkojnë Jalilin në balotazh, sepse ata përfaqësojnë dy grupe krejtësisht të ndryshme në kampin e ndarë konservator. Grupi i Pezeshkianit është munduar t’i bindë votuesit të cilët e bojkotuan raundin e parë, të dalin e të votojnë në balotazh. Mbështetësit e tij kanë argumentuar se nëse Jalili vjen në pushtet, administrata e tij do të përdorë politika shtypëse dhe do ta izolojë Iranin më shumë.

Mbështetësit e Jalilit e kanë portretizuar Pezeshkianin si njeri të butë me Perëndimin dhe do të bëjë që përparimi i Iranit të varet nga marrëdhëniet e mira me vendet e Perëndimit. Ndërkohë, kundërshtarët i kanë bërë thirrje votuesve ta bojkotojnë balotazhin, duke ngulur këmbë se zgjedhjet në Iran nuk janë as të lira, e as të drejta dhe se zgjedhjet e kaluara kanë dështuar të sjellin ndryshime, meqë pushtetin kryesor e ka Khamenei.

Në Iran, lideri suprem ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka pushtet në shumë çështje të rëndësishme.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE