Britani, nuk ka më dyshime: Laburistët fituesit e mëdhenj të zgjedhjeve!
Laburistët triumfojnë në Britaninë e Madhe, Rishi Sunak humb zgjedhjet. Kein Starmer do të jetë kryeministri i ri, i cili foli për fillim të ndryshimit. Kurrë, konservatorët nuk kanë marrë një rezultat kaq të keq në zgjedhje që nga viti 1834, kur u themelua partia e tyre. Tashmë, laburistët do të kthehen në qeveri me një shumicë tepër të qartë e pritet të kenë 410 vende në Parlamentin me 650 të tilla në total.
Partia Laburiste e ka siguruar këtë shumicë të madhe të votave në zgjedhjet parlamentare të Britanisë, duke shfrytëzuar një valë zhgënjimi me 14 vjet qeverisje nga Partia Konservatore.
Të gjithë atyre që bënë fushatë për laburistët në këto zgjedhje, të gjithë atyre që votuan për ne dhe i besuan Partisë sonë të ndryshuar Laburiste, faleminderit! – shkroi Starmer në platformën sociale X.
Elektorati i dha goditje të madhe konservatorëve të kryeministrit Rishi Sunak, të cilët ndodhen në pushtet që nga viti 2010. Ata pritet të kenë 131 vende në përbërjen e ardhshme të Parlamentit.
Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 202. Që atëherë, dorëheqjet, përjashtimet dhe disa ngjarje të tjera e reduktuan shumicën e konservatorëve. Aktualisht, konservatorët kanë 344 vende, laburistët 205.
Rezultatet e plota të zgjedhjeve priten gjatë orëve të ardhshme. Rezultati tregon se Britania ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta, çka shihet kohët e fundit në Europë, përfshirë Francën dhe Italinë. Shumë rryma të njëjta populiste paraqiten në Britani. Lideri i Reform UK, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.
Britania ka përjetuar disa vite të trazuara, pjesërisht për fajin e konservatorëve që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.
Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë. Festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.
Pasardhësja e Johnson-it, Liz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave e qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë. Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashikonin humbje të partisë së tij.
Analistët vlerësuan se ai pa arritjen e disa sukseseve në ekonomi, si rënia e inflacionit dhe rritja ekonomike, duke i veçuar si momentin më të mirë për të çuar vendin në zgjedhje. Sunak pritet t’i paraqesë zyrtarisht dorëheqjen mbretit, sapo rezultati i përgjithshëm të qartësohet.