Kontrabandë me ilaçet, pranga një shtetasi nga Kosova në Morinë!
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Morinë, në hyrje/dalje, të bazuar në analizën e riskut, për të menaxhuar fluksin e lëvizjes dhe për të parandaluar krimet në kufi, u goditën një rast i kontrabandimit të ilaçeve, si dhe një rast i mosdeklarimit të të hollave.
Për të dyja rastet, një shtetas nga Kosova ra në pranga, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një 50-vjeçar me banim në Fushë-Krujë. Këtij të fundit, në çantë iu gjet shuma 13 mijë euro, që synonte ta fuste në Shqipëri pa e deklaruar sipas ligjit. Sa i përket medikamenteve, shtetasi 32-vjeçar nga Peja që i solli kontrabandë, synonte që t’i shiste në Shqipëri.
Njoftimi zyrtar:
Si rezultat i shtimit të kontrolleve, goditen në hyrje të Shqipërisë, 1 rast i kontrabandimit të ilaçeve. Arrestohet shtetasi kosovar që synonte të kontrabandonte ilaçet, me qëllim shitjen. Sekuestrohen ilaçet dhe shuma e eurove.
-u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar F.K., 32 vjeç, banues në Pejë, pasi në çantë iu gjet një sasi ilaçesh që i kishte kontrabanduar nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L.K., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi në çantë iu gjetën rreth 13 000 euro që synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, njoftoi policia.