Shuhet vatra e zjarrit në Qafën e Llogorasë!
Në orët e para të mëngjesit u arrit të shuhej vatra e zjarrit në Qafën e Llogorasë në Vlorë. Kjo, pas përpjekjeve të përbashkëta të forcave zjarrfikëse, atyre të Armatosura e Administratës së Zonave të Mbrojtura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.
Mbi 40 efektivë të tjerë nga ushtria iu bashkuan aksionit në mëngjes dhe bënë krehjen e zonës, për izolimin përfundimtar të vatrës, siç bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Peleshi bëri thirrje për të gjithë ata banorë, që me veprimet e tyre vënë në rrezik pasurinë kombëtare.
Do të përballen më ligjin, i cili është i qartë dhe i rreptë për piromanët.
Më herët, drejtori i përgjithshëm i Zjarrfikëses, Arben Cara deklaroi se dyshimet janë se zjarri ishte i qëllimshëm. Sipas tij, autorët e ndezjes së flakëve do të vendosen para përgjegjësisë.
Këto vatra zjarri, patjetër që kanë dorën e njeriut. Ashtu siç ka thënë dhe ministri në deklarata të mëparshme, këto lloj zjarresh kanë patjetër dorën e njeriut dhe se nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi. Autorët do të vendosen para ligjit. Policia po heton dhe do t’i vendosë autorët përpara ligjit. Vepra penale është shumë e rëndë. Ne bashkë me Policinë e Shtetit nuk do të ndalemi për të ndaluar këtë katastrofë.
Kemi pasur dy vatra zjarri paralele, një në Dhërmi e një në Llogora. Fatmirësisht, vatrat e zjarrit në Dhërmi i kemi mbyllur në një kohë shumë të shpejtë e pasi vendosëm në lëvizje të gjitha strukturat, ndërhymë edhe nga ajri me helikopter. Rreth 40 forca zjarrfikëse u vendosën në qafën e Llogorasë pasi era po favorizonte vatrat e zjarrit. Situata u vu nën kontroll dhe nuk u rrezikua Parku Kombëtar i Llogorasë.
Dy vatra zjarri prekën jugun e vendit një ditë më parë: një në Dhërmi, në lagjen “Kondraq”, ku policia ka nisur hetimet, pasi dyshohet se u shkaktua nga një shkëndijë elektrike. Për vatrën tjetër në Qafë Llogora, Agjencia për Mbrojtjen Civile bëri apel për kufizim të qarkullimit.
Një lokal plazhi me strukturë druri u dogj në orët e natës në Radhimë të Vlorës. Sipas informacioneve të para bëhet e ditur se shkak ishte një shkëndijë elektrike, por nuk përjashtohen pistat e tjera pasi janë djegur dhe shezllonet. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, por dëmet materiale janë të shumta. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave.