Moldavia, Rumania e Ukraina, akord për luftën ndaj dezinformatave ruse!

vovalbania July 06, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moldavia, Rumania e Ukraina, akord për luftën ndaj dezinformatave ruse!

Moldavia, Rumania dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim mes tyre në luftën ndaj dezinformatave ruse.  Akordi i përbashkët u firmos gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të të tre vendeve në kryeqytetin moldav, Kishinjau, një ditë më parë.

Pas takimit, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, iu tha gazetarëve se “arsenali i luftës hibride” të Rusisë nuk po përdoret vetëm kundër Ukrainës, pushtimin e së cilës Moska e nisi në shkurt 2022 dhe e vijon me ashpërsi, por edhe ndaj Moldavisë po ashtu.

Takimi mes Kulebas e kolegëve të Moldavisë dhe Rumanisë, Mihai Popsoi e Luminita Odobescu ishte i treti mes tyre që prej vitit 2022. Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kremlini “përdor gënjeshtra, si dhe manipulime në mënyrë të përsëritur, për të nxjerrë justifikime të rreme lidhur me pushtimin e pajustifikueshëm” të Ukrainës e nga ana tjetër, “për të bërë përpjekje për të prishur solidaritetin mbarëbotëror me popullin ukrainas”.

Kremlini i ka mohuar të gjitha pretendimet se po përhap dezinformata dhe akuzon Perëndimin për përfshirje në atë që e quan “terrorizëm informacioni”. Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim. Muajin e kaluar, Bashkimi Europian, BE nisi edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Polonia e kanë krijuar tashmë një grup për të ndihmuar Ukrainën në luftimin e dezinformimit rus, siç njoftoi Qendra Globale e Angazhimit e Departamentit amerikan të Shtetit.

Qendra Globale e Angazhimit, e cila punon për të zbuluar dezinformatat nga ato që i konsideron “shtete armiqësore”, vuri në dukje se Grupi i përbashkët i Komunikimit për Ukrainën ose ndryshe UCG, u formua në kryeqytetin polak Varshavë.

Qëllim i tij është t’i jepet mbështetje Ukrainës “në luftën kundër agresionit të Rusisë në hapësirën e informacionit”.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se grupi i ri do t’i bashkojë aleatët “për të koordinuar mesazhet, për të promovuar raportimin e saktë rreth pushtimit rus të Ukrainës, për të përforcuar zërat ukrainas, si dhe për të ekspozuar manipulimin e informacioneve nga Kremlini”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE