Ndalon së funksionuari roboti Astro i Amazon!
Edhe pse dukej se Amazon do të riorientonte plotësisht robotin e saj të shtëpisë Astro në mjedisin e biznesit, lajme befasuese po vijnë. Që nga 25 shtatori, robotët Astro me të gjitha rrotat, me peshë 9 kg, do të ndalojnë së punuari dhe kompania do t’u kthejë klientëve paratë e tyre të blerjes (2350 dollarë + 300 dollarë kredi).
Amazon nuk komenton se sa robotë Astro janë shitur që nga nëntori i vitit 2023, kur u prezantua, por theksohet se vizioni i kompanisë është të drejtojë burimet e saj drejt zhvillimit të robotikës. Vitin e kaluar, u zbuluan dokumente që tregonin për një robot të ri Amazon Astro, i zbukuruar me AI gjeneruese dhe aftësinë për të kujtuar atë që pa, për të marrë pjesë në biseda dhe për të zbuluar potencialisht rrezik të tillë si xhami i thyer në dysheme dhe të ngjashme.
Ndërkaq, Amazon thuhet se po punon në një asistent me AI që mund të zhvillojë biseda, të planifikojë pushime dhe të rezervojë fluturime. Siç raportohet, gjiganti teknologjik po zhvillon chatbot-in e tij të parë të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale. Por, kompania ende nuk ka komentuar për thashethemet. Bëhet e ditur se mjeti i quajtur Metis “ushqehet” nga një model me Al, Olympus, i cili thuhet të jetë version më i fuqishëm i modelit Titan.
Në formën e tij më të thjeshtë, Metis kthen përgjigjet e bazuara në tekst dhe imazh, sipas dokumenteve të brendshme. Ai synon të gjenerojë përgjigje më të përditësuara dhe të sakta për ngjarjet aktuale. Metis pritet gjithashtu të punojë si një asistent personal që mund të automatizojë dhe të kryejë detyra më të komplikuara. Mund të përdoret për të bërë një itinerar pushimesh, për të rezervuar një fluturim dhe madje për të ndezur dritat në shtëpinë tuaj.