Opozita: Shkarkimi i Belerit dhe caktimi i zgjedhjeve u bë në shkelje të ligjit!

vovalbania July 06, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Opozita: Shkarkimi i Belerit dhe caktimi i zgjedhjeve u bë në shkelje të ligjit!

Opozita e konsideron shkelje të ligjit vendimin e Presidentit Bajram Begaj që dekretoi datën e zgjedhjeve të pjesshme në Himarë, në 4 gusht.

Sipas opozitës, tashmë kryeministri Edi Rama është i lirë të emërojë kë të dojë në krye të bashkisë së Himarës.

Deklarata Federatës së Partive Opozitare:

Partia në pushtet i dha fund dje çdo iluzoni se Kushtetuta e Shqipërisë është dokumenti themeltar i shtetit.

Kryeministri Rama, pasi e mori peng, nëpërmjet një procesi të stisur dhe antiligjor 14 muaj më parë, pasi e parakaloi nëpër salla gjyqesh, dje, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, i hoqi mandatin kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe shpalli zgjedhjet për zëvendësimin e tij.

Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve, në një seancë të mbledhur me urgjencë, e shkarkoi Belerin. Kjo i hapi rrugë Presidentit të Republikës, me të njëjtën urgjencë, të dekretonte zgjedhjet në Himarë më 4 gusht.
Edi Rama është tashmë i papenguar në planin e tij që kryetari i Himarës të emërohet, jo të zgjidhet.
Vetëm një i emëruar i tij i lë dorë të lirë për t’i shtrirë “investitorët strategjikë” të qeverisë edhe në bregdetin ende të papushtuar të Himarës.
Shpejtësia me të cilën lëvizën, nën komandë, institucionet e Republikës vetëm sa dëshmon atë që partitë e opozitës theksojnë prej kohësh.

Në Shqipëri nuk ka ndarje apo balancë pushtetesh, por vetëm mbipushtet të Edi Ramës.
Fredi Beleri u parakalua edhe njëherë dje, nga burgu në KQZ, për t’i hequr mandatin, edhe pse prej 13 muajsh ai kërkonte leje që ta merrte po atë mandate, që ia kishin dhënë qytetarët e Himarës.

Ligji nuk e lejonte ta merrte, por ta linte po, thonë juristët antiligjorë të Edi Ramës. Pengmarrja e Fredi Belerit është sot e dyfishtë: si i zgjedhur i qytetarëve të Himarës dhe të qytetarëve të BE, të cilët i dhanë atij statusin e eurodeputetit.

Vendimet e djeshme zinxhir janë shkelje ligjore dhe precedent i rrezikshëm legal dhe politik.
Vendimi i Komisionerit nuk është as i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit.
Dekreti i Presidentit Begaj është gjithashtu i pambështetur në ligj. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. As shansin e ankimimit, pasi i hoqën atë të betimit dhe lirinë, nuk ia dhanë kryebashkiakut dhe eurodeputetit Beleri.

Federata e Partive Opozitare e konsideron të kërcënuar rendin kushtetues me akte të tilla.

Ne u bëjmë thirrje institucioneve që të ruajnë, jo vetëm ligjin dhe Kushtetutën por edhe reputacionin e tyre.
Kjo dalje e qeverisë mbi ligjin, dhe shumë të tjera të tilla, duhet ndëshkuar.
Federata e partive opozitare ju bën thirrje mbështetësve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë të bëhen bashkë në protestën e 11 korrikut ora 20.00.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE