Starmer-Biden: Mbështetja për Ukrainën, e palëkundur!

vovalbania July 06, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Starmer-Biden: Mbështetja për Ukrainën, e palëkundur!

Në telefonatën e tij të parë me presidentin amerikan Joe Biden, kryeministri i ri britanik, Keir Starmer konfirmoi se mbështetja e Britanisë për luftën e Ukrainës me Rusinë është “e palëkundur”. Dy udhëheqësit rikonfirmuan angazhimin e tyre të vendosur ndaj Ukrainës ndërsa Starmer nënvizoi se “mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën nuk ka lëkundje”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në bisedën e tij të parë telefonike me Starmerin, e përgëzoi për fitoren e tij në zgjedhje dhe i uroi “të realizojë me sukses pritshmëritë që ka populli britanik lidhur me qeverinë e re”.

Udhëheqësi ukrainas e shkroi këtë në X, duke shtuar se ai ishte “mirënjohës” ndaj Starmerit që “e kishte siguruar atë se mbështetja e Britanisë për Ukrainën do të mbetet e pandryshuar”.

Elektorati i dha goditje të madhe konservatorëve britanikë të kryeministrit Rishi Sunak, në pushtet që nga viti 2010. Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 202. Që atëherë, dorëheqjet, përjashtimet dhe disa ngjarje të tjera e reduktuan shumicën e konservatorëve. Aktualisht, konservatorët kanë 344 vende, laburistët 205.

Rezultati i fundit, i 4 korrikut, tregoi se Britania ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta, çka shihet kohët e fundit në Europë, përfshirë Francën dhe Italinë. Shumë rryma të njëjta populiste paraqiten në Britani. Lideri i Reform UK, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.

Britania ka përjetuar disa vite të trazuara, pjesërisht për fajin e konservatorëve që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë. Festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.

Pasardhësja e Johnson-it, Liz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave e qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë. Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashikonin humbje të partisë së tij.

Analistët vlerësuan se ai pa arritjen e disa sukseseve në ekonomi, si rënia e inflacionit dhe rritja ekonomike, duke i veçuar si momentin më të mirë për të çuar vendin në zgjedhje.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE