Viktima dhe të plagosur nga një sulm rus në rajonin Donjeck!
Forca Ajrore e Ukrainës bëri të ditur se e ka zmbrapsur edhe një valë sulmesh ruse me dronë në 12 rajone ukrainase mëngjesin e ditës së sotme, por sulmet me bomba në rajonin e Donjeckut vranë të paktën pesë persona, si dhe plagosën disa të tjerë.
Në orët e para të 6 korrikut, armiku goditi me 27 dronë [të tipit] Shahed, njoftoi Forca Ajrore në një mesazh në Telegram.
Kundërajrorët ukrainas “ia dolën të rrëzojnë 24 dronë në rajonet Dnipropetrovsk, Poltava, Zaporizhja, Herson, Harkiv, Donjeck, Sumi, Çernihiv, Vinitsia, Kiev, Kirovohard dhe Mikolaiv, bëri të ditur Forca Ajrore.
Ndërkohë, zyrtarët në rajonin Sumi, në veri të kryeqytetit, Kiev thanë se dronët rusë e prishën lidhjen e energjisë elektrike me ujësjellësin, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.
Një ditë më parë, trupat ruse hodhën dy bomba në qytetin Selidove në lindje të rajonit Donjeck, duke vrarë të paktën pesë persona, si dhe duke plagosur tetë të tjerë, raportoi shefi i administratës ushtarake të këtij rajoni, Vadym Filashkin, në një postim në Telegram.
Ndërkohë, në rajonin e Rusisë, Krasnodar ishin dy depo nafte që u përfshinë nga zjarri dhe një objekt i telefonisë celulare u dëmtua nga një sulm me dronë gjatë orëve të para të ditës.
Informacionin e dhanë zyrtarët rusë, duke fajësuar Ukrainën për sulmin. Ata shtuan se dronët ukrainas u rrëzuan mbi dy qarqe të Krasnodarit. Rënia e copëzave të dronëve shkaktoi dëme në objektin e telefonisë së lëvizshme në Yeisk, ndërsa një cisternë u përfshi nga zjarri në një depo nafte në fshatin Pavlovskaja.
Por, nuk ka qenë e mundur të verifikohet ky pretendim me burime të tjera. Në muajt e kaluar, Ukraina, infrastruktura e së cilës është dëmtuar rëndë nga sulmet e pareshtura ruse gjatë vitit të fundit, i ka rritur sulmet ndaj zonave për prodhimin e karburanteve brenda Rusisë, kryesisht kundër objekteve të rafinerisë së naftës, të cilat punojnë për ushtrinë ruse.