Letra me përmbajtje nacionaliste në Kosovën e veriut!

vovalbania July 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Letra me përmbajtje nacionaliste në Kosovën e veriut!

Një i mitur u arrestua në Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe dhe më pas u lirua se sipas Policisë së Kosovës, u kap në flagrancë duke vendosur letra ngjitëse me përmbajtje nacionaliste.

Gjatë kontrollit, të dyshuarit iu gjetën 83 letra ngjitëse, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Letrat ngjitëse janë të tifozëve, Delije, të ekipit serb të futbollit, Cërverna Zvezda (Ylli i Kuq). Autoritetet e sigurisë thanë po ashtu se për këtë rast u arrestuan edhe katër të mitur të tjerë, në shtëpitë e të cilëve u gjetën dhe u sekuestruan “dëshmi që kanë lidhje me rastin”.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar, por rasti vazhdon me procedurë të rregullt, u tha në njoftim.

Gjetja e këtyre letrave ngjitëse në Mitrovicë të Veriut, vjen pasi më 30 qershor në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, u shfaqën pamflete me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.

Për shfaqjen e këtyre pamfleteve është hapur një rast hetimor për “nxitje të urrejtjes” ndërsa më herët, Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush qëndron pas këtij rasti.

Në disa lokacione, në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes. Aktualisht, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterave në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit serb Vuçiç. Ai tha se nëse lideri i Serbisë hyn në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit do të burgoset.

Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij, shkroi Sveçla në Facebook.

Shfaqja e këtyre posterave në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat veriore, nisën mandatin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE