“Marshi i Paqes”, pjesëmarrësit nisen drejt Srebrenicës!

vovalbania July 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Marshi i Paqes”, pjesëmarrësit nisen drejt Srebrenicës!

Më shumë se 4 mijë pjesëmarrës, sot u nisën nga Nezuku në afërsi të Tuzllës, në marshin prej 100 kilometrash drejt Srebrenicës. “Marshi i Paqes” organizohet për të nderuar viktimat e gjenocidit të vitit 1995 të kryer në zonën që ishte nën mbrojtjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Pjesëmarrësit do të ecin për tre ditë në të njëjtat rrugë që përdorën banorët e Srebrenicës, teksa tentuan të kalonin në Tuzlla apo Kladnje në korrik të vitit 1995. Po ashtu, ata planifikojnë të shkojnë në Potoçari më 10 korrik, në mënyrë që një ditë më pas, të mund të marrin pjesë në ngjarjet që shënojnë përvjetorin e gjenocidit dhe funeralet kolektive në Qendrën Memoriale për Srebrenicën, në Potoçari.

“Marshi i Paqes” organizohet që nga viti 2005 dhe numri i pjesëmarrësve është rritur çdo vit. Qëllimi i tij është që të ndërtojë, përmirësojë e gjithashtu të nxisë kulturën e përkujtimit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Gjatë ecjes treditore, pjesëmarrësit do të përshkojnë më shumë se 30 kilometra në ditë. Rruga është e shënjuar dhe pjesëmarrësve u jepet ujë, ushqim e ndihmë mjekësore, në rast se është e nevojshme. Në korrik të vitit 1995, trupat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë më shumë se 8 mijë e 300 burra e djem myslimanë në Srebrenicë dhe qytetet përreth, në atë që njihet si masakra më e rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nxorri një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Në atë kohë, duhet theksuar se Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB.

Po kjo gjykatë e shpalli Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Po ashtu, gjykata tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar shkaktarët e gjenocidit. Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burg për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë dhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç e komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç. Që të dy ata janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65741 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE