Olmo vlerëson Francën: Ekip i madh, duhet të tregojmë sa vlejmë!
Mesfushori i Spanjës, Dani Olmo, doli në konferencë para ndeshjes me Francën, takim ky i Europianit.
“Në fund të ditës, Franca është gjithmonë aty. Edhe pse nuk ka luajtur aq mirë në këto ndeshje, mbetet një nga skuadrat më të mëdha. Nuk kanë ardhur deri këtu rastësisht. Ndonëse kanë shënuar pak gola, janë në gjysmëfinale për një arsye. Mendoj se do të jetë një tjetër finale, sepse ua dimë nivelin që kanë. Ne kemi ecur mirë dhe duhet të vazhdojmë të përmirësohemi në të gjitha aspektet. I njohim shumë mirë dhe do të jemi gati për gjithçka.
Merkato dhe interesimi i Barçës – Tani jam i përqendruar te evropiani. Nuk shqetësohem për klauzolën. Flikun e njoh mirë, është një trajner shumë i mirë, të shohim se si do të ecë te Barcelona. Por në listën e tij mund të ketë edhe shumë lojtarë të tjerë, ndaj nuk do të thotë shumë”, tha Olmo.
Mesfushori i kombëtares spanjolle, Dani Olmo, është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes në suksesin 2-1 kundër Gjermanisë në Shtutgart në çerekfinale.
Para takimit, ai ishte në balotazh me Pedrin, por në fund De la Fuente vendosi për Pedrin. Me dëmtimin e mesfushorit të Barçës, De la Fuente i besoi një vend pikërisht yllit të Lajpcigut. Dani Olmo nuk ka zhgënjyer. Ai ka qenë protagonisti kryesor i Spanjës. Fillimisht ka shënuar golin e 1-0 pas një asisti të Lamine Jamal. Ndërsa në minutën e 119-të i dhuroi topin Mikel Merinos që shënoi golin e fitores 2-1 të Spanjës. Dani Olmo i ka bërë në këtë mënyrë një dhuratë aspak të këndshme trajnerit që i dha mundësinë të debutonte me Lajpcigun në vitin 2020, Juliën Nagelsman.