PE-ja fillon me nismën për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës!

vovalbania July 10, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
PE-ja fillon me nismën për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës!

Në Parlamentin Europian startoi nisma për t’iu kërkuar organeve përgjegjëse të Bashkimit Europian që t’i pezullojnë Hungarisë të drejtën e votës, për shkak të veprimeve të fundit të kryeministrit të vendit, Viktor Orban. Riho Terras nga grupi më i madh politik i Parlamentit Europian, Partia Popullore Europiane, iu dërgoi një letër të gjithë deputetëve, duke kërkuar mbështetjen e tyre. Të njëjtën kërkesë do të ketë edhe ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kreut të Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Presidenca hungareze sapo ka filluar dhe kryeministri Orban ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke abuzuar me rolin e Presidencës së Këshillit. Në misionin e tij të ashtuquajtur “paqeruajtës”, qëllimisht ka krijuar përshtypjen se vepron në emër të të gjithë Bashkimit Europian ndërsa në realitet, nuk ka asnjë autoritet të përfaqësojë BE-në apo ndonjë shtet tjetër anëtar të Unionit, përveç të vetit, siç edhe thuhet në letrën që u pa nga Radio Evropa e Lirë.

Shkak për këtë letër u bënë vizitat e Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, në ditët e para të muajit. Orban u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, një veprim që u dënua nga të gjithë aktorët kryesorë të Bllokut. Siç dihet, më 1 korrik, Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian.

Sipas letrës së deputetëve europianë, Orban po përpiqet t’i minojë vendimet ekzistuese të BE-së, procesin e vendimmarrjes dhe unitetin e Unionit për çështje të rëndësishme.

Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Duhen hapa vendimtarë për t’i kufizuar dëmet e mëtejshme.

Cila është fuqia e një letre nga Parlamenti Europian?

Procedurat dhe pezullimet e të drejtave të votës paraqiten komplekse. Për to janë përgjegjëse shtetet anëtare. Neni 7 i Marrëveshjes për Bashkimin Europian ku bazohet letra, e lejon mundësinë e pezullimit të së drejtës së anëtarësimit në Union (siç është e drejta për të votuar në Këshillin e Bashkimit Europian), nëse një vend shkel seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme parimet mbi të cilat bazohet BE-ja.

Elementet që do ta nxisnin zbatimin e këtij neni, përfshijnë: respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave.

Për ta vënë në zbatim Nenin 7, me propozimin e një të tretës së shteteve anëtare të BE-së, Parlamentit Europian ose Komisionit Europian, Këshilli, duke vepruar me një shumicë prej katër të pestash të anëtarëve të tij, pas marrjes së pëlqimit nga Parlamenti mund të përcaktojë se ekziston rrezik i qartë i shkeljes së rëndë të këtyre parimeve bazë nga shteti anëtar dhe t’i nxjerrë rekomandimet e duhura.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 66289 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE