Pjerin Ndreu në SPAK/Kryebashkiaku i Lezhës nën hetim për shpërdorim detyre!
Në SPAK sot u paraqit Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë, i cili pas daljes nga mjediset e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmoi për gazetarët se është nën hetim, por jo i akuzuar për shpërdorim detyre. Ndreu theksoi se dha shpjegime e vuri në dukje se ndaj tij ka një kallëzim që e quajti “politik”, siç u shpreh, “për një trotuar të bërë për qytetarët”.
Më tej, kryebashkiaku i Lezhës deklaroi se me trotuarin u zgjidh një problem madhor, por sipas tij, “nuk i shkon për shtat Partisë Demokratike”. Po ashtu, mohoi të ketë patur korrupsion e dëm ekonomik.
U thirra në cilësinë e personit nën hetim. Do të paraqitem gjithnjë kur të më kërkojnë, që t’i sqarojmë gjërat. Eshtë një kallëzim politik. Po më hetojnë për shpërdorim detyre, por nuk ka të bëjë me asnjë shkelje, as korrupsion, as shkelje e barazisë në tendera. Si duket, shërbimi në komunitet që kemi bërë ne, nuk i ka shkuar për shtat PD-së të Lezhës, ndaj janë aty ku janë.
Zero shkelje procedurash, zero korrupsion e dëm ekonomik. Ka një problem procedure ku PD-ja e Lezhës nuk është dakord që të bëjmë troture. Jemi në proces e dhashë shpjegimet e mia.
Nuk ka lidhje me lënien e mandatit. Ajo që kam bërë unë është shërbim ndaj komunitetit. Shpërdorimi i detyrës kërkon zgjerimin e fitimeve për vete, një dëm ndaj shtetit apo të tjerëve, gjë që nuk ekziston. Sa herë do të më thërrasin, jam këtu. Do të më kenë sa herë të duan, unë do të vij më dëshirë.
Jam mbështetës publikisht i kësaj prokurorie. Nuk qahem pse më thirrën, pse ma bënë… Kam ardhur se më ka thirrur SPAK-u. Këtu jemi. Unë për vete nuk e shoh të arsyeshme që mund të ngrehen akuza. Nëse po, unë do të përballem.