Sisteme të reja të mbrojtjes ajrore i premtohen Ukrainës nga Amerika!
Joe Biden nuk ka dyshime se Rusia nuk kërkon “asgjë më pak” se “ta fshijë Ukrainën nga harta”, por shprehu bindjen se Vladimir Putin, nuk do t’ia dalë. Presidenti amerikan njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do t’i ofrojnë Ukrainës armë të tjera, përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore. Nga samiti i NATO-s në Uashington, theksoi se lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend i lirë, i pavarur.
Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin, sidomos me mbështetjen tonë të plotë kolektive. Ajo e ka mbështetjen tonë të plotë. Lufta do të përfundojë me Ukrainën si vend i lirë dhe i pavarur. Rusia nuk do të mbizotërojë. SHBA-të dhe partnerët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në muajt e ardhshëm, si dhe qindra përgjues gjatë vitit 2025.
Në një deklaratë që lëshoi Shtëpia e Bardhë, sqarohej se Amerika, Gjermania dhe Rumania do t’i dhurojnë bateri Patriot vendit në luftë ndërsa Holanda dhe partnerët e tjerë do t’i ofrojnë komponentë Patriot për të mundësuar funksionimin e disa baterive shtesë. Edhe Italia do të dhurojë një sistem shtesë SAMP-T.
Departamenti amerikan i Shtetit u shpreh se njoftime të mëtejshme për ndihmat për Ukrainën do të bëhen gjatë samitit. Fjalimi i Biden-it u ndoq nga afër jo vetëm për komentet e tij në lidhje me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, por edhe për performancën e tij të përgjithshme.
Kohët e fundit, disa demokratë i kanë bërë thirrje të tërhiqet nga gara për rizgjedhje në nëntor, për shkak të paraqitjes së tij të dobët në debatin me rivalin republikan, Donald Trump, në fund të qershorit. Në atë debat, Biden belbëzoi gjatë gjithë kohës dhe nuk ka arritur t’i sfidojë sulmet e Trumpit, që në shumë raste, kanë përfshirë edhe pretendime të rreme.
Por, gjatë fjalimit në samitin e NATO-s, Biden nuk u duk se bëri ndonjë gabim. Duke folur pak para tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nëse Rusia do të dilte fituese në luftën e saj në Ukrainë, Moska do t’i jepte zemër Iranit, Kinës e Koresë së Veriut, si dhe do të formësonte mjedisin e sigurisë globale për disa dekada.
Nuk ka opsione pa rrezik me një Rusi agresive si fqinje. Nuk ka opsione pa rrezik në një luftë. Kostoja më e madhe dhe rreziku më i madh do të jetë nëse Rusia fiton në Ukrainë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë.
Biden i dha Stoltenbergut Medaljen e Lirisë, nderimi më i lartë civil që mund të bëjë një president amerikan.
Shumë nga përparimi që kemi bërë në aleancë, është falë sekretarit. Ai është një njeri me integritet.
Në vjeshtë, Stoltenberg do t’i dorëzojë detyrën shefit të zgjedhur të NATO-s, Mark Rutte.