Takim Biden-Starmer/Londra synon raporte më të ngushta me Europën!

vovalbania July 11, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Takim Biden-Starmer/Londra synon raporte më të ngushta me Europën!

Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit të ri britanik, Keir Starmer se mirëpret dëshirën e tij për raporte më të ngushta me homologët europianë. Kjo sipas njoftimit të qeverisë britanike. Starmer u takua me Bidenin në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë dhe dy liderët diskutuan lidhur me raportet mes dy shteteve që drejtojnë, si dhe për konfliktet në Ukrainë e në Gaza.

Duke iu referuar paktit të sigurisë mes Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Australisë, Londra zyrtare deklaroi:

Presidenti mirëpriti deklaratat e bëra së fundi nga kryeministri për krijimin e raporteve të ngushta me homologët tanë europianë, si dhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për AUKUS. Në kohën kur ne po përballemi me sfida në mbarë botën, ne jemi më të fortë kur jemi bashkë e punojmë së bashku.

Starmer mori pjesë në samitin e NATO-s në Uashington, ku takoi liderë europianë, përfshirë kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Starmer theksoi se dëshiron që Britania e Madhe të rivendosë raportet me Bashkimin Europian, të përmirësojë bashkëpunimin në fusha si ato të sigurisë e tregtisë, duke kërkuar që të ulë tensionet që u shkaktuan pas referendumit të vitit 2016 kur britanikët vendosën të largonin shtetin nga blloku europian.

Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e ribashkimit me tregun e përbashkët të BE-së apo në unionin e doganave.

Anëtarët e NATO-s bashkohen kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara do të nisin dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani më 2026-ën. Ky konsiderohet hap i madh që synon të luftojë atë që aleatët e cilësojnë “kërcënimin në rritje që Rusia paraqet për Europën”.

Sipas vendimit, Uashingtoni pritet të dërgojë në Gjermani armët më të fuqishme amerikane që do të vendosen në kontinentin europian që nga Lufta e Ftohtë dhe ky vendim po shihet si paralajmërim i qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga SHBA-të e Gjermania u tha se “dislokimet episodike” ishin përgatitje për stacionim afatgjatë në Europë të aftësive ushtarake që përfshijnë raketat SM+6, Tomahawk dhe dislokimin e armëve hipersonike me rreze të gjatë veprimi.

Një dislokim i armëve të tilla do të ishte i ndalueshëm nga Traktati për forcat bërthamore me rreze të mesme veprimi që Amerika dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar në vitin 1987. Por, ky traktat u zhbë më 2019-ën.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE