Atentati ndaj Donald Trump-it, atentatori ishte një 20-vjeçar!
Quhej Thomas Matthew Crooks dhe ishte nga Pensilvania, 20-vjeçari, i cili qëlloi nga 150 metra distancë duke plagosur lehtë ish-presidentin amerikan, Donald Trump gjatë një mitingu elektoral pikërisht në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara. I riu u ekzekutua nga shërbimet sekrete. Pas një kontrolli mjekësor në një spital të zonës, Trump u largua e më pas u shfaq duke zbritur pa ndihmë shkallët e një avioni e dukej në formë. Një drejtuese e fushatës së tij presidenciale, shkroi:
I fortë dhe e mori veten shpejt. Nuk do të ndalet së luftuari për Amerikën.
Sipas gazetës New York Times, aeroporti ku u shfaq Trump është në Nju Xhersi. FBI-ja tha se nuk kishte asnjë informacion për një kërcënim të mundshëm përpara atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump. Kevin Rojek, kreu i zyrës së agjencisë federale të hetimit në Pitsburg:
Nga këndvështrimi i FBI-së, jo! Ne nuk kishim ndonjë informacion specifik kërcënimi në lidhje me këtë ngjarje.
“Shumë herët për të përcaktuar nëse sulmi ndaj Donald Trump-it ishte vepër e të ashtuquajturit “ujku i vetmuar”. Kjo u raportua nga koloneli George Bivers i Policisë së Shtetit të Pensilvanisë, në konferencën për shtyp të mbajtur në Butler.
Nuk munguan dhe reagimet e liderëve, duke nisur nga presidenti amerikan, Joe Biden, njëherazi rival i pritshëm i Trump-it në garën e 5 nëntorit 2024, për të dytën herë pas zgjedhjeve të 2020-ës.
Unë jam mirënjohës që ai është i sigurt dhe mirë. Lutem për të, familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin të pranishëm në tubim, duke pritur për informacione të mëtejshme. Jill dhe unë i jemi mirënjohës Shërbimit Sekret që e mbajti të sigurt. Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si një komb për ta dënuar.
Biden foli në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë pas sulmit që e la të plagosur lehtë Donald Trump-in, por që i kushtoi jetën një pjesëmarrësi në miting. Dy të tjerë u plagosën. “Të luftojmë, të luftojmë” ishin fjalët e para të ish-presidentit pas të shtënave me armë.
Për ish-presidentin amerikan, Barack Obama, “nuk ka vend për dhunën politike” në Amerikë.
Nuk ka absolutisht hapësirë për dhunën politike në demokracinë tonë. Edhe pse ende nuk e dimë me saktësi se çfarë ka ndodhur, duhet të jemi të lehtësuar nga fakti që ish-presidenti Trump nuk u plagos rëndë, si dhe ta shfrytëzojmë këtë moment për t’u angazhuar sërish në qytetarinë e në respektin e politikës sonë. Michelle dhe unë i urojmë shërim të shpejtë!