100 kuota në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit!
Akademia e Sigurisë do të jetë pjesë e aplikimeve të maturantëve në portalin “UAlbania” për ndjekjen e studimeve të larta. Si një urë lidhëse mes maturantëve dhe botës akademike, këtë vit, ky portal (ualbania.al) do të ofrojë mundësinë për aplikim, me qëllim për t’u pranuar në programin e ciklit të parë “bachelor” edhe në Fakultetin e Sigurisë e të Hetimit.
Për të gjithë të rinjtë që do të zgjedhin Akademinë e Sigurisë dhe do të nisin rrugën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, do të ketë në dispozicion 100 kuota të lira. Në përfundim të studimeve trevjeçare në Fakultetin e Sigurisë dhe të Hetimit, mësohet se të diplomuarit do të marrin gradën “nënkomisar” e po ashtu do të shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, e cilësoi një hap të rëndësishëm përfshirjen e Akademisë së Sigurisë në procesin e aplikimit të maturantëve për të ndjekur studimet e larta, nëpërmjet portalit “UAlbania”.
Integrimi i vazhdueshëm i Akademisë së Sigurisë me botën universitare dhe atë akademike do të sjellë një mundësi më shumë për maturantët, të cilët i ftoj që të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, duke aplikuar për të ndjekur studimet e larta, me programe cilësore dhe staf të kualifikuar mësimdhënës.
Ky hap do të garantojë në të ardhmen rritjen profesionale të trupës së policisë, si një premisë e rëndësishme për garantimin e rendit e sigurisë publike dhe parandalimin e goditjen e krimit, u shpreh Rrumbullaku.
Akademia e Sigurisë është akredituar si një institucion i arsimit të lartë nga Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, me dy njësitë kryesore të saj: Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, si dhe Kolegjin Profesional të Formimit Policor.