Gjermania refuzon sërish thirrjet për të dërguar aeroplanë luftarakë në Ukrainë!

vovalbania July 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjermania refuzon sërish thirrjet për të dërguar aeroplanë luftarakë në Ukrainë!

Qeveria gjermane ka refuzuar sërish thirrjet për dërgim të aeroplanëve ushtarakë në Ukrainë, pasi lideri i opozitës Friedrich Merz, prej Unionit Demokristian të qendrës së djathtë, ka thënë se mbështet idenë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Steffen Hebestreit, ka thënë se Ukraina do të pranojë disa aeroplanë luftarakë F-16 prej partnerëve perëndimorë, të cilët Gjermania nuk i posedon.

“Nuk ka kuptim që të dërgohen lloje të ndryshme të aeroplanëve luftarakë në Ukrainë”, ka thënë Hebestreit.

“Ndonëse aeroplanët luftarakë mund të duken të ngjashëm prej jashtë, ata janë shumë të ndryshëm për t’i menaxhuar. Duhen trajnime afatgjata për ta”, ka thënë ai.

Merz ka kërkuar të dielën ndihmë shtesë për Ukrainën, në një intervistë të realizuar me transmetuesin gjerman, ARD.

“Më duket disi e besueshme që t’i ndihmojmë Ukrainës që të rifitojë kontrollin e hapësirës së vet ajrore. Sepse, këto sulme me raketa, që janë secilën herë e në rritje, kundër infrastrukturës, kundër elektricitetit dhe furnizimeve me ujë, kundër spitaleve, kundër shtëpive të kujdesit, nuk mund të zmbrapsen vetëm prej tokës”, ka thënë ai.

“Prandaj është konfirmuar dërgimi i aeroplanëve luftarakë në Ukrainë, prej shumë vendeve, përfshirë disa në Evropë. Ne si evropianë, nuk duhet të qëndrojmë mbrapa”.

Hebestreit ka thënë të hënën se propozimi i Merzit nuk është i ri, dhe që Merz duhet të ketë njohuri që Gjermania nuk mund të dërgojë aeroplanë të njëjtë në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE