Gjermania: Stabiliteti i Afrikës Perëndimore, çelësi për sigurinë europiane!
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, sot udhëton për në Afrikën Perëndimore dhe shpreson që të mund të zgjerojë bashkëpunimin me Senegalin e Bregun e Fildishtë, në mënyrë që të parandalojë përhapjen e paqëndrueshmërisë e që aktualisht trondit Sahelin, në pjesën tjetër të rajonit.
Nëse më shumë vende në Afrikën Perëndimore arrijnë qëndrueshmërinë, kjo jo vetëm që do të ketë pasoja dramatike për popullsinë vendase, por edhe një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë në Europë, tha ministrja përpara vizitës dyditore në rajonin afrikan.
Senegali, si dhe Bregu i Fildishtë, që janë ndër të paktat demokraci të mbetura të Afrikës Perëndimore, konsiderohen si dy nga partnerët më të rëndësishëm për Europën. Kjo në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende të Sahelit po i drejtohen Rusisë, siç dhe vuri në dukje Baerbock.
Vizita e zyrtares së Berlinit, sot në Senegal e nesër në Bregun e Fildishtë vjen mes një vale destabiliteti në rajonin e Sahelit, të cilin disa analistë e kanë quajtur si “Brezi i grushtit të shtetit”. Kjo pas kryengritjeve ushtarake në Mali, Çad, Guine, Sudan, Burkina Faso, Niger e Gabon, që nga viti 2020.
Ndërsa shumë prej qeverive të reja ushtarake janë larguar nga marrëdhëniet me Bashkimin Europian, BE janë tërhequr nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) dhe kanë marrë mbështetjen e forcave ruse, Senegali dhe Bregu i Fildishtë kanë ruajtur marrëdhëniet e tyre me Perëndimin pa u orientuar shumë nga Moska.
Njerëzit e dy vendeve bregdetare, si dhe vendet e tjera në kufi me Sahelin jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm se terrori e dhuna nga vendet fqinje do të depërtojnë gjithashtu në shoqëritë e tyre, tha Baerbock.
Ministrja gjermane ka planifikuar që të takohet sot me homologun e saj senegalez Yassine Fall së bashku me presidentin e sapozgjedhur Bassirou Diomaye Faye në Dakar. Senegali nuk ka përjetuar kurrë një konflikt të dhunshëm që nga pavarësia e tij nga Franca në vitin 1960, 64 vjet më parë.
Emigracioni dhe energjitë e rinovueshme ka të ngjarë të jenë dy tema në diskutim, me përfaqësuesit e biznesit gjerman që shoqërojnë Baerbock-un në vizitën e saj në dy vendet afrikane.