Plani për ndëshkimin e Orban merr jetë, ministrat e jashtëm të BE planifikojnë bojkotin e samitit në Hungari!
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të bojkotojnë Hungarinë duke mbajtur samitin e tyre të punëve të jashtme në gusht në vend që të udhëtojnë në Budapest për ngjarjen e kryeministrit Viktor Orbán, raporton Politico.
Hungaria, e cila ka marrë presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, planifikon të presë një samit të çështjeve të jashtme në Budapest më 28-29. në gusht – mundësia e parë që Orban të përpiqet të formësojë axhendën e politikës së jashtme të bllokut.
Por pasi Orbán pengoi ndihmën për Ukrainën dhe kreu takime me presidentët Vladimir Putin dhe Xi Jinping, të cilat ai nuk i koordinoi me 26 liderët e tjerë kombëtarë të BE-së, shumë ministra të jashtëm kërkuan një mënyrë për të mos qenë pjesë e eventit të Orban.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borell do të mbledhë ministrat për një këshill “formal” të punëve të jashtme në të njëjtën kohë me samitin e Orbanit, sipas tre diplomatëve të BE-së që janë drejtpërdrejt të njohur me planin dhe që kërkuan anonimitet.
“Nëse do të ketë një këshill formal për punët e jashtme, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë Borell në të njëjtën ditë, ministrat nuk do të mund të shkojnë në Budapest,” tha një nga diplomatët.
Një tjetër shtoi se duke bojkotuar takimin në Budapest, ministrat e tjerë të jashtëm donin të “dërgonin një sinjal të qartë se Hungaria nuk flet në emër të BE”.
Edhe para luftës në Ukrainë, tensionet midis BE-së dhe Hungarisë ishin rritur prej vitesh.
Në mbledhjen e parë të presidencës hungareze, e cila u organizua në Budapest, ku u diskutua për politikën industriale, u paraqitën vetëm shtatë ministra nga vendet e tjera.