Vintage. “Kiss The Girls” për ata që e kanë humbur rikthehet në Netflix bujshëm. Fansat e “Se7en” do kënaqen. Kritikë.

vovalbania July 15, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vintage. “Kiss The Girls” për ata që e kanë humbur rikthehet në Netflix bujshëm. Fansat e “Se7en” do kënaqen. Kritikë.

Në kohën që doli në kinema u quajt një derivat i “Se7en” (David Fincher, 1995) filmi me protagonist Brad Pitt dhe Morgan Freeman që ndjek dy dedektivë në përpjekje për të kapur një vrasës serial të paskrupullt  Kevin Spacey.  Kjo vjen që prej protagonistit kryesor, Morgan Freeman, po ashtu një (lloj) hetues(i), i cili kësaj rradhe përfshirjen në hetime e ka më personale, mbesa e tij është një prej vajzave të rrëmbyera nga një vrasës enigmatik i cili është tejet i vështirë për t’u gjetur. Edhe pse për kohën, kritika e vlerësoi shumë më pak se filmi që i ngjason (me të drejtë), rikthimi në Netflix muajin e kaluar e ka bërë filmin një hit të menjëhershëm.

Natyra e çuditshme, ç’njerëzore e krimeve në këtë histori është shumë e ngjashme me “Se7en”, por ndryshe prej tij, dyshimet për vrasësin janë thuajse të lexueshme prej fillimit. Një film argëtues, tipik film kokoshkash me personazhe inteligjent dhe aktorë të talentuar. Thuhet se filmi i dytë i Gary Fleder, mbas “Things To Do In Denver When You’re Dead”, është frymëzuar edhe nga “The Silence Of The Lambs” dhe “Copycat” dy filma të tjerë të rëndësishëm të zhanrit në ato vite. Edhe pse ky realizim nuk është në nivelin e të sipërpërmendurve nuk mund të thuash që është një film i dobët.

Freeman luan Dr. Alex Cross, një agjent i skenave të krimit në policinë e kryeqytetit të SHBA-ve. Përfshirja e mbesës së tij në një krim në Durham, N.C. do ta bëjë atë të shkojë në vendngjarje për të zbuluar se mbesa e tij bukuroshe, një nga studentet më të mira të universitetit ku studion është vetëm një prej shumë vajzave me profil të ngjashëm. Vrasësi ‘firmos’ viktimat e tij me mbishkrimin ‘Casanova’.

Casanova nuk e di sidoqoftë që viktima e tij e rradhës, Kate McTiernan (Ashley Judd) është një vajzë po aq e bukur, sa luftarake, e aftë për t’u vetmbrojtur. Ajo do t’ia dalë të largohet nga vrima ku vrasësi mbante trofetë e tij, dhe së bashku me Cross do të vihen në ndjekje të këtij personazhi misterioz.

Freeman është kaq i zoti në interpretimin e këtij personazhi që e ka luajtur disa herë sa është e pamundur të mos t’i besosh dhe t’i dorëzohesh plotësisht. Loja e tij ka bërë breza që të bien në dashuri me profesionin e hetuesit. Gjithashtu për Judd, përpara se Hollywood-i ti hiqte vizën për shkak të konflikteve të saj me Harvey Weinstein, të cilit (së bashku me gra të tjera) i dhanë atë që meritonte vite më vonë, ky është një rol që i rri për shtat, duke e përsëritur bërë disa herë të tjera (rasti që dallon më shumë është “Double Jeopardy” (1999)).

Skenari i David Klass, bazuar në romanin thriller të James Patterson, së bashku me muzikën e Mark Isham ndihmojnë regjisorin Fleder për të sjellë një copëz argëtuese kinemaje, që të kujton një kohë tjetër, ku forma dhe përmbajtja lidheshin gjithmonë fort, aq më shumë tani që e shikon në një platformë si Netflix – ku jo gjithmonë përmbatja është ajo ka rëndësi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65741 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE