Bisedime për paqe me Rusinë, Zelensky: Ja plani që po përgatisim
Presidenti ukrainas Zelenski tha se Kievi mund të ftojë një delegacion rus për një samit të dytë për paqe. Sipas një sondazhi të mediave ukrainase mbi 40% e ukrainasve mbështesin fillimin e bisedimeve të paqes.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se qeveria e tij synon të përgatisë deri në nëntor një plan paqeje për një samit të dytë ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ukraina zhvilloi muajin e kaluar një samit në Zvicër, në të cilin morën pjesë përfaqësues të 92 vendeve, por jo të Rusisë.
“Unë mendoj se përfaqësuesit e Rusisë duhet të jenë të pranishëm në samitin e dytë,” tha Zelenski tha pasi u kthye nga një vizitë në Uashington, ku mori pjesë në samitin e NATO-s.
Rusia kishte kritikuar më parë samitin e mbajtur në Zvicër, duke thënë se çdo diskutim që nuk përfshin Moskën është “absurd”.
Mbi 40% e ukrainasve janë pro fillimit të bisedimeve për paqe me Moskën
Sipas një sondazhi të botuar nga e përjavshmja ukrainase Dzerkalo Tyzhnia mbi 40 për qind e ukrainasve janë pro fillimit të negociatave për paqe me Rusinë.
Në sondazh nuk ishin përfshirë banorët e Gadishullit të Krimesë, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, dhe zona të tjera në lindje dhe jug të vendit që janë të kontrolluara nga Rusia.
Sipas sondazhit 43.9% e ukrainasve në zonat e kontrolluara nga Kievi mendojnë se “ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve zyrtare për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë”, 35% ishin kundër fillimit të negociatave dhe 21% që ishin të pavendosur.
Dallime rajonale
Në rajonet jugore të Ukrainës u konstatua mbështetja më të madhe për fillimin e bisedimeve të paqes, me rreth 60%. Ndërsa në rajonet qendrore pro negociatave ishin gati gjysma e banorëve.
Në perëndim të vendit – që konsiderohet si qendra ku jeton popullasia ukrainisht-folëse, e cila tradicionalisht ka votuar për partitë nacionaliste dhe properëndimore ukrainase – pro fillimit të bisedimeve të paqes me Moskën ishte vetëm 35% e popullsisë.
Mbështetja më e ulët për negociatat u regjistrua në rajonet lindore të Ukrainës, ku pro bisedimeve ishte vetëm 34% e popullsisë.
Shumica e të anketuarve kundër propozimeve të Putinit
Megjithë qëndrimin pro bisedimeve për paqe 83% e të anketuarve janë kundër kërkesave të bëra në qershor nga presidenti rus Vladimir Putin në mënyrë që t’i jepet fund luftës.
Putini tha se Rusia do të binte dakord për armëpushim dhe do të hynte në bisedime për paqe, nëse Ukraina do të tërhiqte trupat e saj nga katër rajone në jug dhe lindje që Moska pretendon se i ka aneksuar. Nga katër rajonet e pretenduara vetëm Luhansku kontrollohet kryesisht nga forcat ruse.
Presidenti rus kërkoi gjithashtu që Kievi të heqë dorë nga çdo ambicie për t’u anëtarësuar në NATO. Sipas sondazhit thuajse 59% e popullsisë janë kundër përfshirjes në kushtetutën e Ukrainës të një neni për neutralitet dhe mosangazhimin ushtarak të vendit.