Socialistët përplasen me kreun e KLSH / Shehu: Akulloret kancerogjene ende në treg. AKU nuk i tërhoqi

vovalbania July 16, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Socialistët përplasen me kreun e KLSH / Shehu: Akulloret kancerogjene ende në treg. AKU nuk i tërhoqi

Arben Shehu, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka raportuar përballë komisionit të Ekonomisë dhe prezenca e tij ka sjellë debate midis deputetëve.

Ishte deklarata e Shehut për Autoritetin e Kontrollit Ushqimor, që nxiti fillimisht debat në komision. Kreu i KLSH-së tha se AKU nuk ka bllokuar akulloret e kontaminuara me Oksid Etileni, në vitin 2021, kur u njoftua nga Europa.

“Në 27.7.2021, u zbuluan markat e akullore, Oksid Etileni në akulloret e prodhuar në Francë, u zbulua nga Spanja që më pas ka njoftuar në sistemin RAS 47 shtete, për tërheqjen e akullores me Oksid otileni në disa akullore. Me pas në 30/7/2021 ka ardhur e-mail, drejtuesit e AKU për këtë gjë. AKU, është njoftuar menjëherë dhe duhet të merrte masa për të ndaluar qarkullimin e akulloreve të kontaminuara. Oksidi Etileni shkakton kancer, leucemi, ndikon në aftësinë riprodhuese tek meshkujt. AKU nuk kreu asnjë veprim, nuk e bllokoi këtë produkt”, tha Shehu, duke theksuar se Shqipëria u njoftua disa herë nga ndërkombëtarët.

Kreu i KLSH-së, zbuloi se në Shqipëri janë tregtuar akullore të kontaminuara me Oksid Etileni që shkaktojnë kancer, leucemi dhe ndikojnë në aftësinë riprodhuese tek meshkujt. Ai shtoi se kjo mund të ketë pasur ndikim edhe në shtimin e pacientëve tek Onkologjiku.

Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti reagoi pas fjalës së Shehut, duke thënë se pohimi i tij është tepër i rëndë dhe se mund të shkaktojë panik.

“Kjo është një çështje shumë sensitive. Ju dëgjova që nuk janë marrë masat nga AKU. Shumë e saktë që duhet një ballafaqim. Kërkova në internet lajmin. AKU e ka tërhequr nga tregu. Dhënia e këtij informacioni nga ju ka sensivitet të lartë sikundër është shëndeti. Të thoni që nuk janë marrë masa, për mua është një pohim shumë i rëndë. Të thuash sot në 2024 që ende nuk janë tërhequr akullore. Përgjegjësia e fjalës është shumë e madhe. Besoj që do duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Gjylameti.

Shehu kërkoi rritje të bashkëpunimit midis KLSH-së dhe Parlamentit dhe kërkoi që të bëhen analiza ndërinstitucionale lidhur me gjetjet e auditimeve.

“Nuk është i rëndësishëm vetëm zbatimi i rekomandimeve tona, por të vendoset në vëmendjen tuaj si në rastin konkret, duhet të ngrini grupe pune për analiza kryesisht për situatën në shëndetësi, për analizën e rritjen e të sëmundjeve tumorale në shëndetësi. Në vazhdimësi do donim të kishim një mundësi për të bashkëpunuar. Nuk kërkohet vetëm mbështetje për punën por për arritjen e objektivave, dhe për zgjidhjen e problematikave që ne i kemi hasur në punën tonë. Siç përmendim situatën në Shëndetësi, siç është ai i Onkologjikut, është një niveli maksimal i lartë i riskut që kërkohet përgjegjësi e stafit të KLSH por edhe e institucionit që e monitoron spitalin. Kërkohet vëmendje shumë e madhe për zbatimin e rekomandimeve që ne kemi dhënë për shëndetësisë, do kërkojmë një analizë. Ne vlerësojmë se situata në onkologjik është pika fundore e përgjegjësisë. Duhet të ketë një analizë për faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të sëmurëve me sëmundje tumorale”, tha Shehu.

Nga ana tjetër, kreu i komisionit, Eduart Shalsi tha se është koha për një marrëdhënie të re mes Parlamentit dhe KLSH-së. Shalsi foli edhe për iniciativën e ngritjes së një nënkomisioni “Për Auditimin e Sektorit Publik”.

“Nuk do të jetë një nënkomision që do të operojë mbi baza bipartizane. E tillë është eksperienca e shumë vendeve, që na sugjerojnë edhe partnerët tanë. Jemi në një proces shumë interesant për të ngritur raportin e Parlamentit me KLSH-në në një nivel të ri bashkëpunimi nga i cili ato që duhet të përfitojnë duhet të jenë qytetarët e Shqipërisë”, deklaroi Shalsi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE