Ish-analistja e CIA-s akuzohet se punonte për Korenë e Jugut!
Një specialiste e Politikës së Jashtme, e cila dikur punonte për CIA-n dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, përballet me akuza se ka punuar si agjente e paregjistruar e qeverisë së Koresë së Jugut, në këmbim të dhuratave luksoze dhe objekteve të tjera.
Sipas një aktakuze të bërë publike në gjykatën federale të Manhatanit në Nju Jork, Sue Mi Terry përkrahu qëndrimet politike të Seulit zyrtar, iu dha punonjësve të zbulimit koreano-jugor informacione jopublike të qeverisë amerikane, si dhe mundësoi qasjen e zyrtarëve të Koresë së Jugut te homologët e tyre amerikanë.
Dyshohet se në këmbim, punonjësit e zbulimit koreano-jugor i dhanë mallra luksoze, çanta dore dhe rroba të markave të shtrenjta, darka në restorante po luksoze e më shumë se 37 mijë dollarë fonde, me pretendimin për një program të politikave publike për çështjet koreane e që drejtohej prej saj.
Dyshohet se fillimisht nisi të punonte si agjente për Korenë e Jugut në vitin 2013, dy vjet pas largimit nga qeveria amerikane dhe e vazhdoi këtë veprimtari për një dekadë. Aktualisht punon në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. Sipas faqes në internet të organizatës, Terry është eksperte për Azinë Lindore dhe Gadishullin Korean, përfshirë Korenë e Veriut.
Këto akuza janë të pabaza dhe shtrembërojnë punën e një studiueseje e analisteje të njohur për pavarësinë dhe vitet e saj në shërbim në Shteteve të Bashkuara, u shpreh avokati i Terry-t, Lee Wolosky, në një deklaratë.
Faktikisht, Sue Mi ishte një kritike e ashpër e qeverisë së Koresë së Jugut gjatë kohës që akuza pretendon se vepronte në emër të Seulit. Pasi faktet të bëhen të qarta do të jetë evidente se qeveria ka bërë një gabim të madh.
Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Manhatan, Damian Williams, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Ambasada e Koresë së Jugut në Uashington dhe e akuzuara Terry, po ashtu nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë së lajmeve Reuters për koment. Nuk ka akuza ndaj Koresë së Jugut.
Sipas biografisë në internet, Terry është vazhdimisht e ftuar në media dhe disa herë ka dëshmuar para komisioneve të Kongresit. E lindur në Seul dhe e rritur në Virxhinia, Terry ishte analiste e lartë e CIA-s në vitet 2001-2008. Më pas, deri në fund të vitit 2009 shërbeu në një post të lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për çështjet koreane, Japoninë dhe Oqeaninë.
Aktualisht, jeton në Nju Jork e akuzohet se kishte dështuar të regjistrohej si agjente e huaj, siç e kërkon ligji federal, si dhe për përpjekje për të shkelur ligjin. Sipas aktakuzës, gjatë një interviste vullnetare me FBI-në në qershor 2023, Sue Mi pranoi se ishte një “burim” për zbulimin e Koresë së Jugut, “që do të thotë se ofroi të dhëna me vlerë”.