Sulmet izraelite në Gaza, mbi 60 palestinezë të vrarë orët e fundit!
Sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 60 palestinezë në Gazën jugore dhe qendrore gjatë ditës së djeshme dhe natës së kaluar, siç raportojnë agjencitë e lajmeve në botë. Njëri prej tyre goditi një “zonë të sigurt”, e shpallur e tillë nga Izraeli dhe që ishte e mbushur me mijëra njerëz të zhvendosur.
Duke iu referuar pikërisht këtij sulmi, ushtria izraelite bëri të ditur se në shënjestër kishte një komandant në njësinë detare të grupit militant, Xhihadi Islamik, në perëndim të qytetit Khan Junis. Po ashtu, theksoi se po i analizon raportet në lidhje me vrasjen e civilëve.
Burime nga spitali “Nasser” në Khan Junisit thanë se të paktën 17 persona mbetën të vrarë vetëm në këtë sulm. Ushtria izraelite ka kryer disa goditje vdekjeprurëse në ditët e fundit në Gaza, përfshirë një më 13 korrik, në kampin e refugjatëve, Al Mavasi, ku u vranë më shumë se 90 njerëz.
Lufta në Gaza nisi tetorin e vitit të kaluar, kur Hamasi, grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqi të tjera, sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona e marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli që 7 tetorin e përshkroi si “11 shtatorin” e tij, nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, ofensivë e cila vazhdon ende, pa ndalim. Sipas autoriteteve palestineze, mbi 38 mijë vetë janë vrarë që nga koha kur nisi lufta.
Më herët këtë javë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se numri i viktimave në Gaza “është në mënyrë të papranueshme i lartë”.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Egjipti e Katari, janë duke punuar intensivisht për të bindur si Izraelin, ashtu dhe Hamasin për një marrëveshje që do t’i ndalonte luftimet e do të lironte rreth 120 pengje që ende mbahen nga pjesëtarët e grupit radikal militant palestinez në Rripin e Gazës.