J.D. Vance, kandidati për zv.president i Amerikës mban fjalimin në Kuvendin e Republikanëve!

vovalbania July 18, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
J.D. Vance, kandidati për zv.president i Amerikës mban fjalimin në Kuvendin e Republikanëve!

Në fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane, kandidati i republikanëve amerikanë për zv.president, senatori J.D. Vance,  foli mbi fëmijërinë e tij në qytetin industrial Midëlltaun të Ohajos, si dhe përpjekjet për të mbështetur klasën punëtore.

Në Milluoki, 39-vjeçari kritikoi politikat e presidentit Joe Biden dhe Partisë Demokrate duke thënë se vërshimi i produkteve kineze me çmime të ulëta po dëmton fuqinë punëtore dhe klasën e mesme të Ohajos e Miçiganit, Uiskonsit e Pensilvanisë. Këto janë shtete të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale.

Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për udhëheqës që mbështesin kompanitë amerikane, si ish-presidenti Donald Trump”. Senatori Vance e falënderoi Trump-in, i cili ishte i pranishëm në sallën, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, që e emëroi atë kandidat të tij për zv.president, duke premtuar do të punojë për avancuar axhendën e Trump-it, për ta bërë Amerikën, sërish madhështore.

Kuvendi Republikan

Në fjalimin e mbajtur, u përqëndrua edhe në kapërcimin sfidave të varfërisë gjatë fëmijërisë, shërbimin e tij në ushtrinë amerikane, studimet për Juridik në Universitetin Yale dhe punën e bërë si një sipërmarrës i suksesshëm. Gjithashtu, kritikoi “politikanë të karrierës” si Biden-in për politikat tregtare që kanë dëmtuar familjet amerikane.

Unë jam rritur në Midëlltaun të Ohajos, një qytet i vogël ku njerëzit flisnin hapur, ndërtonin të ardhmen me duart e tyre dhe e donin Zotin, familjen, komunitetin dhe vendin, me gjithë zemër. Por, ishte gjithashtu një vend i injoruar dhe harruar nga klasa politike e Amerikës në Uashington. Politikanët e karrierës si presidenti Joe Biden janë përgjegjës për politikat tregtare dhe luftërat e huaja që dëmtuan këto komunitete.

Joe Biden ka qenë një politikan në Uashington për sa kohë që unë kam qenë gjallë. Për gjysmë shekulli, ai ka qenë një kampion i çdo nisme politike për ta bërë Amerikën më të dobët dhe më të varfër. Në qytetet e vogla si Midëlltauni në Ohajo, ato në Pensilvani apo në Miçigan, në shtetet anembanë vendit tonë, vendet e punës dërgoheshin jashtë shtetit dhe fëmijët e tyre dërgoheshin në luftë.

Ne nuk do të kujdesemi për të pasurit në Wall Street, ne do të angazhohemi për njeriun që punon. Ne nuk do të importojmë fuqi punëtore të huaj, do të luftojmë për qytetarët amerikanë. Amerika ka nevojë për një udhëheqës që do të luftojë për rikthimin e fabrikave dhe prodhimit në vend.

Fjalimi i tij përfshiu shumë nga parimet thelbësore të platformës së Trump-it, duke premtuar se do t’i jepte përparësi prodhimit vendas mbi importet kineze e duke paralajmëruar aleatët se nuk do të merrnin më “ndihmë falas” për të siguruar paqen botërore.

I zgjedhur në Senat rreth më pak se dy vite më parë, Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e Trump-it për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Me një moshë sa gjysma e asaj të ish-presidentit, Vance mund të ushtrojë ndikim për dekada me radhë në Partinë Republikane.

Ai ka argumentuar se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar klasën punëtore duke kufizuar importet, rritur pagën minimale e goditur fitimet e korporatave. Këto qëndrime bien ndesh me qëndrimin tradicional pro-biznesit të Partisë Republikane, por janë në një linjë me axhendën e Donald Trump-it.

Kuvendi 4-ditor i republikanëve do të kulmojë me fjalimin e ish-presidentit Trump mbrëmjen e sotme kur zyrtarisht, ai do të pranojë emërimin nga partia për t’u përballur me Joe Biden-in, në një përballje të dytë, si në vitin 2020.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE