Shkupi zyrtar konfirmon ndalimin e kosovarit me fletë-arresti nga Serbia!
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmon se më 17 korrik është arrestuar një shtetas i Kosovës, bazuar në një fletë-arrest të lëshuar nga Serbia. Ministria e Punëve të Brendshme:
Në datë 17.07.2024, ora 16:00, në vendkalimin kufitar Jazhincë, me hyrjen në shtet, zyrtarët policorë ndaluan shtetasin B.R. 47 vjeçar nga Kosova pasi gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai ishte i regjistruar me “Apsi” me kërkesë të Serbisë dhe i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtejshme.
Lajmi për ndalimin e shtetasit nga Kosova, fillimisht është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.
Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha MPJD-ja.
Arrestimi u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. MPJD-ja theksoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar për këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejtë të Blerim Ramadanit.
Kohët e fundit, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte. Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si “arbitrar” dhe “të padrejtë” arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza duke kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.
Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi. Por, Haxhiu pranoi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të vendit. Në strategjinë e saj kombëtare 2021-2026 për ndjekjen e krimeve të luftës, Serbia pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë Reciproke Juridike në vitin 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuza për krime lufte.