Huthët marrin përgjegjësinë për shpërthimin në Tel Aviv me 1 viktimë!
Rebelët Huthi të Jemenit kanë marrë përgjegjësinë për atë që duket se ka qenë sulm me dronë në qendër të Tel Avivit në orët e para të ditës së sotme duke lënë të vrarë një person dhe duke plagosur disa të tjerë, siç njoftoi ushtria izraelite. Shpërthimi, i cili nuk ka aktivizuar alarmet e mbrojtjes ajrore ndodhi disa orë pasi ushtria izraelite konfirmoi se ka vrarë një komandant të lartë të milicisë së Hezbollahut, në jug të Libanit. Si Hezbollahu, ashtu edhe rebelët e Huthëve kanë përkrahen e Iranit.
Një hetim fillestar tregon se shpërthimi në Tel Aviv është shkaktuar nga rënia e një objektivi ajror dhe nuk janë aktivizuar sirenat. Incidenti është nën hetim të detajuar, u shpreh ushtria përmes një deklarate.
Sulmi në Tel Aviv pritet të rrisë shqetësimet për mundësinë e përhapjes së luftës në Gaza pasi Huthët dhe degët e tjera iraniane janë me Hamasin, grupin palestinez që udhëheq Gazën e që është shpallur “terrorist” nga Amerika e nga Bashkimi Europian.
Ushtria ka thënë se nuk e ka rritur mbrojtjen ajrore izraelite mbi Tel Aviv, ndonëse kryebashkiaku i këtij qyteti, qendrës ekonomike të Izraelit e ka rritur alarmin në nivelin më të lartë. Një zëdhënës i Huthëve të Jemenit u shpreh se grupi e ka sulmuar Tel Avivin me dronë dhe do të vazhdojë të shënjestrojë Izraelin, në shenjë solidariteti me palestinezët, për shkak të luftës në Gaza.
Shërbimet izraelite të emergjencës informuan se trupi i një 50-vjeçari u gjet i pajetë në një apartament në afërsi të vendit të shpërthimit. Izraeli ka shkëmbyer raketa me Hezbollahun në Liban pothuajse në baza ditore, që prej nisjes së luftës në Gazë.
Lufta e cila vijon prej 7 tetorit të vitit të kaluar është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1 mijë e 200 izraelitë dhe kanë marrë peng rreth 240 të tjerë. Besohet se afro 116 pengje janë ende në Gaza, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Më pas, Izraeli ka nisur fushatë në Gaza për të shkatërruar Hamasin. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 38 mijë palestinezë, siç raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.