“Kërpudha magjike” e cannabis, 5 në pranga në Tiranë e Berat/Mes tyre një amerikan!

vovalbania July 19, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Kërpudha magjike” e cannabis, 5 në pranga në Tiranë e Berat/Mes tyre një amerikan!

Një shtetas amerikan ra në prangat e bluve të Tiranës pasi u kap në flagrancë me sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).  32-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Shrooms” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi zyrtar: 

Nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, finalizohet operacioni policor i koduar “Shrooms”. Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).  Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Shrooms”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A.U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kërpudhat “magjike”, janë kërpudha të egra të cilat përmbajnë dy përbërës që janë cilësuar si psikoaktivë dhe një drogë haluçinogjene, të quajtura psilocybin e psilocin.

Në një tjetër zhvillim, në Berat, hetimet e kryera prej 1 muaji, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Lidhjet”.

Të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi në qytetin e Beratit, vihen në pranga 4 shtetas. Sekuestrohen një sasi cannabisi, e ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu dhe 4 celularë.

Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve që kryhen vazhdimisht, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, pas një muaji hetime me metoda proakive, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, finalizuan operacionin policor të koduar “Lidhjet”.

Në kuadër të operacionit, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit H. A. (A.), 56 vjeç, A. A., 29 vjeç dhe E. A., 20 vjeç, përkatësisht babai dhe 2 djemtë e tij, si dhe shtetasi E. G., 38 vjeç, lidhje shoqërore e tyre, të gjithë banues në Berat.

Nga hetimet ka rezultuar se këta 4 shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza cannabisi, në zona të ndryshme të qytetit të Beratit.

Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi një sasi cannabisi, të ndarë në doza, me qëllim shitjen, si dhe disa fishekë arme gjahu që posedoheshin pa leje dhe 4 celularë.

Materialet procedruale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65741 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE