Temperaturat e larta, masa për të ndihmuar punëtorët e ndërtimit!

vovalbania July 19, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Temperaturat e larta, masa për të ndihmuar punëtorët e ndërtimit!

Rritja e temperaturave ekstreme të nxehtësisë përbën sfidë të ndjeshme lidhur me sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, sidomos atyre në sektorin e ndërtimit, që janë dhe më të ekspozuar. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja apelon për zbatimin me rigorozitet të masave që i ndihmojnë në këto ditë të nxehta ku vendi është nën ndikimin e masave ajrore afrikane.

Po ashtu, Gonxhja ndau edhe disa nga masat që rekomandon Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimet Shoqërore, për të ndihmuar në mbrojtjen e punëtorëve e për të mundësuar një mjedis pune të sigurt e produktiv.

Masat përfshijnë rritjen e mbikëqyrjes së punëmarrësve nëpërmjet personit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe forcimin e sistemeve të ISHP-së në subjektet përkatëse.

Rekomandohet përfshirja e masave parandaluese në dokumentin e vlerësimit të riskut duke marrë parasysh kushtet e motit të nxehtë.

Sugjerohet riprogramim i punës në natyrë në kohë më të freskëta të ditës dhe shmangia e punës në diell kur është në maksimum.

Një tjetër masë është sigurimi i pushimeve më të shpeshta për punëtorët dhe krijimi i zonave të freskëta, sigurimi falas i ujit të pijshëm, të freskët gjatë gjithë kohës së punës dhe heqja e pajisjeve mbrojtëse individuale gjatë pushimit për të parandaluar mbinxehjen.

Ndër të tjera, rekomandohen pajisje mbrojtëse të përshtatshme për temperaturat e larta, të tilla si kapele të forta që nuk depërtojnë nxehtësinë dhe veshje që mbrojnë nga dielli, krahas mbrojtjes me kremra ndaj diellit.

Këto masa janë të rëndësishme për të siguruar që punëtorët të qëndrojnë të sigurt dhe të shëndetshëm gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme, duke minimizuar rrezikun e lodhjes, goditjes nga nxehtësia dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me stresin e nxehtësisë, theksoi ministri.

Sot vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme e të nxehta. Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të cilat do të vijnë në zhvillim në orët e mesditës. Përgjatë relieveve malore të ultësirës perendimore dhe në zonat malore të vendit në mesditë dhe pasdite vranësirat do të pasohen nga reshje shiu, të cilat në intervale të shkurtra kohore pritet të jenë edhe në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Temperaturat parashikohen: 19 deri 39°C.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65260 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE