Vazhdon beteja me zjarret në qarkun Dibër/Problematikë nga terreni thyer!
Prej disa ditësh, vijojnë të jenë të shumtë efektivët e Forcave të Armatosura që iu janë bashkuar forcave operacionale në disa qarqe të vendit, të cilat nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë në betejë me zjarret. Duket se ditët e fundit, situata më problematike ka qenë në qarkun e Dibrës, në Balgjaj, Klos e në fshatin Madhesh, në Ulëz, ku flakët përfshinë sipërfaqe me pyll, dushqe dhe pisha.
Efektivët e Batalionit III të Burrelit, të angazhuar në këto operacione, tregojnë vështirësitë e punës për shkak të terrenit. Nëntoger Kejdi Vani:
Kemi disa ditë që jemi në vendngjarje. Ka pasur disa vatra të ndezura dhe kemi punuar me intensitet të lartë për t’i shuar. Ndihma nga Forca Ajrore ka qenë shumë e rëndësishme në këtë betejë.
Tetari Klodjan Troci thekson se çdo mision ka rreziqet e tij, por terreni i vështirë dhe i thepisur në këtë zonë e bën punën edhe më sfiduese.
Forcat tona janë në terren gjatë gjithë kohës dhe besoj se kemi kryer detyrën si duhet. Kemi qenë të angazhuar plotësisht që nga momenti i parë kur morëm njoftimin e do të vazhdojmë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Mes këtyre trupave është dhe efektivi i ri Kilimanxharo Koçi, për të cilin ky është misioni i parë me Batalionin III të Burrelit. Përkushtimi dhe guximi i tij, si dhe i të gjithë efektivëve të përfshirë është për t’u admiruar e vlerësuar maksimalisht.
Përmes një deklarate, Ministria e Mbrojtjes falënderon çdo efektiv për sakrificat e tyre në këto ditë me temperatura tejet të larta, si dhe iu bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarre e të reagojnë menjëherë, duke kontaktuar strukturat zjarrfikëse për të parandaluar çdo pasojë.
Sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme e të nxehta. Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të cilat do të vijnë në zhvillim në orët e mesditës. Përgjatë relieveve malore të ultësirës perendimore dhe në zonat malore, vranësirat do të pasohen nga shira. Temperaturat parashikohen: 19 deri 39°C.