I dënuar me 8 vite burg në Itali, policia e Vlorës prangos 58-vjeçarin (EMRI)
Është arrestuar në Vlorë Nikola Mersini, i dënuar në Itali me 8 vjet burg për trafik droge.
Sipas policisë, 58-vjeçari u kap në një nga lagjet e qytetit.
Ndërkohë, pritet ekstradimi i tij në shtetin italian.
“Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Pursuit”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. I dënuar nga Italia, me 8 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Vlorë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pursuit”.
Gjatë operacionit, u kap në lagjen “10 Korriku” dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Nikola Mersini, 58 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Vlorë. Autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar këtë shtetas, me 8 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 7 vjet e 6 muaj), për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi”, thotë Policia.