Lufta në Gazë, Netanyahu takon Biden-in të martën në SHBA!

vovalbania July 21, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta në Gazë, Netanyahu takon Biden-in të martën në SHBA!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të takohet të martën e 23 korrikut me presidentin amerikan, Joe Biden, siç ka bërë të ditur zyra e liderit izraelit. Netanyahu pritet të niset nesër drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dy liderët janë takuar për herë të fundit në Tel Aviv më 18 tetor, pak pas sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit, më 7 tetor.

Atë ditë, militantët e Hamasit, grupit të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian vranë mbi 1.200 izraelitë dhe kanë marrë peng rreth 240 të tjerë. Rreth 116 pengje besohet se ende gjenden në Gaza, përfshirë 42 që ushtria izraelite mendon se janë të vrarë.

Më pas, Izraeli ka nisur fushatë në Gaza për të shkatërruar Hamasin. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 38 mijë palestinezë, siç raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze.

Referuar raportimeve në media, diskutimet pritet të fokusohen në tentativat për të garantuar një armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve, në këmbim të të burgosurve palestinezë. Ndërkohë, në Izrael po rriten kritikat për udhëtimet e Netanyahut jashtë vendit.

Protestuesit kërkojnë që ai të largohet nga Izraeli vetëm pasi të jetë arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Të mërkurën, Netanyahu do t’i adresohet Kongresit Amerikan, lidhur me veprimet e ushtrisë izraelite në Gaza.

Marrëdhëniet mes Biden-it dhe Netanyah-ut konsiderohet të jenë të tensionuara, sidomos pas një videoje të publikuar së fundmi prej liderit izraelit, në të cilën ai kritikon ashpër qeverinë amerikane për pezullim të një pjese të ndihmës ushtarake.

Izraeli godet shënjestra të rebelëve Huthi në Jemen, duke vrarë të paktën tre persona e plagosur 87 të tjerë, pasi grupi i mbështetur nga Irani, goditi Tel Avivin. Shumë prej të plagosurve pësuan djegie të rënda në bombardimet që shënjestruan infrastrukturën e energjisë elektrike e të naftës.

Reagoi Këshilli i Lartë Politik i Huthëve duke thënë se do të ketë “një përgjigje efektive” ndaj sulmeve izraelite. Për bombardimet në Jemen, zyrtarët deklaruan se kryhen pas mbi 200 goditjeve të Huthëve në territorin e Izraelit. Ato po rrisin shqetësimet se lufta në Gaza mund të përhapet më tej në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64964 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE