Takim i BE-së, tërheqja e Donald Trump-it pritet të ketë fokusin!

vovalbania July 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Takim i BE-së, tërheqja e Donald Trump-it pritet të ketë fokusin!

Njoftimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për tërheqjen nga gara presidenciale e 5 nëntorit 2024 pritet të dominojë një takim të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Bashkimit Europian e që mbahet sot. Temat kryesore të planifikuara lidhen me konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë e në Lindjen e Mesme, por vendimi i Biden-it ka të ngjarë t’i lërë ato në hije.

Biden i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, për të garuar në zgjedhjet e nëntorit kundër rivalit republikan, ish-presidentit, Donald Trump. Por, vendimin përfundimtar në lidhje me kandidatin do ta marrë Partia e tij Demokrate.

Marrëdhëniet midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përkeqësuan gjatë mandatit të parë të Trump-it si president e që zgjati në vitet 2017-2021. Në një pjesë të madhe të BE-së, tani ekziston frika se një mandat i dytë i tij do të mund të ketë pasoja të gjera për luftën në Ukrainë, për tregtinë globale, si dhe për sigurinë europiane në përgjithësi.

Por, jo të gjitha kryeqytetet e shteteve të BE-së i ndajnë këto shqetësime. Kryeministri polak, Donald Tusk e lavdëroi Biden-in për “vendimet e shumta të vështira, falë të cilave Polonia, Amerika dhe bota janë më të sigurta dhe demokracia është më e fortë”.

Por, Geert Wilders, udhëheqës i ekstremit të djathtë në Holandë, postoi një foto që e tregonte Trump-in me grusht të ngritur, pas atentatit kundër tij, së bashku me fjalët “Presidenti Trump”.

Vëmendja ka të ngjarë të përqendrohet edhe te kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili u takua me Trump-in më herët këtë muaj.

“Gara presidenciale amerikane mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris, nëse kjo e fundit konfirmohet do të jetë e ngushtë”. Kështu parashikon Thomas Gift, drejtor i Qendrës për politikat amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës. Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, thekson se rezultati do të varet nga një përqindje e vogël votash në shtetet si: Ohajo, Pensilvania, Miçigani, Uiskonsini, Xhorxhia e Arizona.

Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo pas presionit të fortë nga zyrtarë demokratë, që kanë humbur besimin te aftësia e tij për të mundur rivalin Donald Trump, çka nisi të evidentohej në debatin televiziv të fundit të qershorit. Biden tha se mbështet zv.presidenten Kamala Harris për presidencialet e nëntorit.

Harris u shpreh e nderuar që gëzon mbështetjen e presidentit aktual, Joe Biden për t’i hyrë garës presidenciale të nëntorit dhe shtoi se synon fitoren.

Pas tërheqjes, Donald Trump e përshkroi Biden-in “si presidentin më të keq deri tani në historinë e vendit. Trump mendon se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të jetë më e lehtë për t’u mundur sa Biden-i, nëse  kandidon përballë tij. Biden e ka mposhtur Trump-in më 2020-ën, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvani, Uiskonsin dhe Miçigan. Optimiste për fitore është edhe Kamala Harris.

Konventa e Demokratëve, në të cilën zyrtarisht emërohet kandidati për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois. Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, 59-vjeçarja Harris, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për postin e numrit një të Shtëpisë së Bardhë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE