Jep dorëheqjen shefja e Shërbimit Sekret amerikan: Dështuam në atentatin ndaj Trump!
Drejtorja e Shërbimit Sekret Amerikan, Kimberly Cheatle, jep dorëheqjen një ditë pasi pranoi se agjencia që ajo drejtonte kishte dështuar për të parandaluar atentatin ndaj ish ish-presidentit Donald Trump në një tubim zgjedhor më 13 korrik.
Ajo ka dhënë dorëheqjen sot përmes një emaili që ia dërgoi stafit, bën të ditur ABC News.
Cheatle, që ishte në krye të Shërbimit Sekret që nga gushti i vitit 2022, u përball me thirrje për dorëheqje dhe me disa hetime lidhur me atë se si sulmuesi i armatosur arriti të qëndronte aq afër kandidatit republikan për president, gjatë një tubimi të Trump më 13 korrik që ai mbajti në Pensilvani.
Kimberly Cheatle pranoi në një seancë në Kongres të një dite më parë, se atentati ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump, ishte dështimi më i madh i agjencisë ndër dekada.
“Misioni solemn i Shërbimit Sekret është të mbrojë liderët e kombit tonë. Më 13 korrik, ne dështuam. Si drejtore e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, unë marr përgjegjësinë e plotë për çdo gabim sigurie. Ne po bashkëpunojmë plotësisht me hetimet në vazhdim. Duhet të mësojmë se çfarë ka ndodhur”, tha Cheatle në dëshminë e saj para komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Sulmuesi 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti të afrohej 135 metra nga skena ku ish-presidenti Trump po fliste dhe më pas hapi zjarr drejt tij. Trump u plagos lehtë në vesh, ndërkaq një person në audiencë u vra.