Nis me debat Komisioni për “TIMS”/ Mazhoranca kërkon t’i përmbahen mandatit të caktuar nga Kuvendi, Salianji: Në tre muaj punë, dy muaj ju ishit në tualet!
Komisioni Hetimor për çështjen e të dhënave të sistemit TIMS nisi me debate këtë të martë pasdite.
Kryetari i Komisionit, Ervin Salianji, ftoi mazhorancën për të përgatitur një raport të përbashkët përfundimtar, ndërsa i akuzoi se nuk kanë qenë pjesëmarrës aktiv në mbledhjet e ‘TIMS-it”.
“Në 3 muaj e ca punë që ishte ky komision, 2 muaj ju ishit në tualet. Asnjë nga ju nuk e keni lexuar raportin. Doni të dalim në një raport përfundimtar apo keni vetëm kundërshti”, pyeti Salianji.
Por, anëtarët e mazhorancës kanë përgatitur një tjetër raport. “Nëse raporti që ju keni përgatitur është ajo që ju keni thënë gjatë gjithë veprimtarisë së komisionit, do të jetë raporti i pakicës. Ne kemi një tjetër raport të përgatitur nga një grup tjetër ekspertësh. Nëse doni t’i hedhim në votim, vazhdojmë. Nëse doni të lexoni raportin tuaj, vazhdoni, por duhet të votohet për të qenë raport i komisionit“, u shpreh nënkryetari socialist, Toni Gogu.
Në mbledhjen e kaluar, u pyet dëshmitari i fundit në Planin e Hetimit të miratuar në unanimitet, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës kërkuan t’i përmbahen ligjit dhe mandatit të caktuar nga Kuvendi, që mbaron në korrik, bashkë me këtë sesion punimesh të Kuvendit.
Por, kërkesa e deputetëve të PS për të deklaruar përfundimin e hetimit parlamentar për këtë çështje nuk u mor në konsideratë nga kryetari i komisionit, duke mos u hedhur për votim, pasi sipas tij, hetimet duhen zgjatur.