Dridhje toke me epiqendër në Adriatik, ja sa ishte magnituda!
Lëkundje të forta në vend, nuk ka raportime për dëme. Tërmeti që u ndje në disa zona, u regjistrua mëngjesin e sotëm rreth orës 02:42, me magnitudë 4.6 Rihter. Epiqendra ishte në detin Adriatik 48 kilometra në veriperëndim të Tiranës e 35 kilometra në veriperëndim të Durrësit, në thellësinë 6.5 kilometra. Krahas Tiranës e Durrësit, Shkodra, Lezha, Laçi e Fushë-Kruja ishin mes zonave ku u ndjenë dridhjet e tokës.
Shqipëria bën pjesë në brezin alpino – mesdhetar. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i konfrontimit të pllakës së Adrias me një pjesë të Orogjenit. Zonat më të rrezikuara janë ajo e bregdetit shqiptar, zona e dytë që paraqet rrezikshmëri është Leskovik – Korçë – Pogradec, ndërsa si zonë e tretë mbahet Lushnje – Elbasan – Peshkopi.
Një shpërndarje e tillë duket se ka të bëjë me ndërtimin gjeologjik dhe tektonik të territorit tonë. Gjatë etapës më të re gjeologjike, gjatë asaj neotektonike, këto rajone i janë nënshtruar një copëtimi dhe diferencimi të fuqishëm. Ato ndërpriten me mjaft thyerje, të cilat dallohen nga një shkallë e lartë diferencimi. Vatrat e tërmeteve më të fuqishme duken se ndodhen në kryqëzimin e këtyre thyerjeve.
Kulmi i tërmeteve, në vendin tonë, shkon njëherë në 25 vjet dhe kjo tregon se Shqipëria ka një aktivitet të madh sizmik. Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë, një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë. Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë – Ulqin.
Gjatë një tërmeti, si fillim duhet ruajtur qetësia, të uleni menjëherë në dysheme duke mbledhur duart dhe krahët përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, duke u ulur poshtë një tavoline apo mobiljeje që nuk mund të rrëzohet mbi ty. Kur nisin lëkundjet mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, por dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit.
Në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet. Në hartën globale të rrezikut nga kjo dukuri natyrore, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet.