“Fshehje pasurie”, SPAK-u dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe!
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dërgon për gjykim dosjen hetimore në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe. Akuza ndaj tij është “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes dhe të deklarimit të rremë
SPAK njofton se ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.199/1, të vitit 2021, me të pandehur shtetasin Fatos Tushe.
Sipas SPAK, nga tërësia e akteve dhe e provave të administruara gjatë hetimit, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se i pandehuri Fatos Tushe, ish – kryetar i Bashkisë Lushnje, ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve në këto deklarata:
Në deklaratën e interesave private periodik/vjetor të viteve: 2017, 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra, të vitit 2021, nuk ka deklaruar asnjë shpenzim të kryer për blerje/porositje të apartamentit me sipërfaqe totale 82.33 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, apo dhe për punime dhe mobilime, të cilat në shumën reale totale (investimi vlerë 2,262,000 Lekë). Hetimi ka provuar se i pandehuri Fatos Tushe edhe pse është pronar “de facto” i apartamentit në qytetin e Vlorës, në Lungomare në vazhdimësi e ka fshehur këtë pasuri. Aktualisht ndaj kësaj prone është vendosur sekuestro preventive me vendimin Nr. 136., datë 29.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
Në deklaratën e interesave private periodik/vjetor të viteve: 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra, të vitit 2021, nuk ka deklaruar huanë/borxhin e marrë nga shtetasi I. L. sipas deklaratës noteriale Nr. 3124 Rep., Nr. 1320 Kol., datë 15.09.2020, notere A. M.;
Në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra me Nr. indeksi 09559, i vitit 2021, nuk ka deklaruar investimin e kryer për blerjen e dy automjeteve, model “S350CDI 4MATIC” (me vlerë të paguar 39.620 Euro) dhe “C200CDI”, marka “Mercedes Benz” (me vlerë të paguar 7.290 Euro), gjithsej në vlerën 46.910 Euro.