“Marshi funebër i gjelave të detit“ nga Koloreto Cukali, udhëtime melankolike në kohë drejt vitit të stuhishëm 1992…
Koloreto Cukali kthehet me librin e tij më të ri, “Marshi funebër i gjelave të detit”, i sapo botuar dhe i disponueshëm për publikun e gjerë. Koloreto Cukali është skenarist, producent, regjisor. Përveç serialeve, filmave dhe programeve televizivë, ai ka punuar për një kohë të gjatë në radio, dhe tani bashkëdrejton programin “Sot Nuk Është e Hënë”, në Top Albania Radio.
Në vitin 2007, botoi librin e tij të parë me poezi, titulluar “Ky libër kushton sa një Redbull” por që në të vërtetë u shit nën koston e pijeve energjike. Kolo është gjithashtu një aktivist për lirinë e medias dhe fjalës së lirë. Kujtojmë se një vit më parë Koloreto ishte regjisori dhe skenaristi i filmit “Në kuadër të dashurisë”, një prodhim i Top Channel Films. Projekti me protagonistë Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin pati një sukses të jashtëzakonshëm në kinema kudo, brenda dhe jashtë vendit, në Europë, SHBA, e Kanada.
Tashmë Koloreto vjen me një libër të ri të tijin, “Marshi funebër i gjelave të detit”. Një hartë fantastike e lokaleve të Tiranës; udhëtime melankolike në kohë drejt vitit të stuhishëm 1992; skica arketipale të gruas, nënës, fëmijëve dhe detit; himne kënduar të pafajshmëve dhe të vegjëlve në trajtën e Gjelave të Detit dhe kolona zanore e një brezi të tërë. Libri i poezive të Kolo Cukalit, është një mozaik i magjishëm ku të gjithë mund të gjejmë një pjesë tonën.
Koloreto Cukali lindi në Tiranë nga ku studioi dhe u diplomua për Filozofi. Në vitin 2009 pasi punoi për 9 vite si folës në radiot shqiptare ai i’u drejtua televizionit dhe kinemasë. Si pjesëmarrës në kampusin e talenteve “Sarajevo dhe Berlinale”, Kolo u bë producenti i parë i pavarur i cili më pas solli në jetë dhe filmin e vitit 2013 (Femrat) që u shpall dhe realizimi kinematografik me të ardhurat më të mëdha për kohën.
Në vitin 2017, Kolo realizoi edhe komedinë e zezë me 10 seri, “Skandërbeg”. Kompania e tij filmike “Cukali Films” ka bashkëpunuar gjithashtu për krijimin dhe realizimin “The Brave” me yjet e kinematografisë Louis Mandylor dhe Armand Assante, një film shqiptar, ndërkombëtar i zhanerit aksion me një buxhet prej 1.4 milion eurosh.
Por, Koloreto ju rikthye dashurisë së tij të parë, radios. Në Top Albania Radio ai drejtoi emisionin “Sot Nuk Është e Hënë”, çdo të hënë live në orën 18:00. Sezoni i ri rikthehet më 16 Shtator!