Osmani kundër vendimit mbi heqjen e vizave për personat me pasaporta serbe në Kosovë!

vovalbania July 24, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Osmani kundër vendimit mbi heqjen e vizave për personat me pasaporta serbe në Kosovë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Këshillit të Bashkimit Europian për t’i hequr vizat qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë vendin”, duke patur parasysh edhe veriun me shumicë serbe. Sipas kryetares së shtetit, “ky vendim, godet edhe përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë”.

Vjosa Osmani njoftoi se këto komente i bëri në një takim të zhvilluar një ditë më parë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Sipas njoftimit zyrtar, në të njëjtin takim u diskutua edhe për tema të tjera, përfshirë pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s e një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet e Kosovës.

Më 22 korrik, pra dy ditë më parë, ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian morën vendimin për t’i hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që mbajnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi pritet që të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Europian. Serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, aktualisht janë të vetmit qytetarë në vendet e Ballkanit Perëndimor të cilëve iu duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Kosova nuk i njeh pasaportat e këtij mekanizmi që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës. Vendimin e Bashkimit Europian, më herët e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si “të padrejtë” e “të dëmshëm” gjithashtu.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës. Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave, pra lëvizjen e lirë, nga 1 janari i këtij viti.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65858 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE