Zyrtari i ri amerikan për Ballkanin, Kasanof shpreh përkushtim për integrimin euroatlantik të rajonit!

vovalbania July 24, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zyrtari i ri amerikan për Ballkanin, Kasanof shpreh përkushtim për integrimin euroatlantik të rajonit!

Zëvendësi i ri i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, do të mbikëqyrë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin, e që në thelb ka mbështetjen e tij në rrugën drejt integrimit europian e të anëtarësimit në institucionet euroatlantike. Kjo u theksua nga një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), i pyetur nga Radio Evropa e Lirë lidhur me qëllimet e Kasanofit në detyrën e re.

Kasanof mori postin e zëvendësit të ndihmësit të sekretarit për Ballkanin Perëndimor më 19 korrik të këtij viti. Paraprakisht, në këtë post ishte Gabriel Escobar, emër i njohur edhe në Shqipëri. Mandati i Escobar-it përfundoi në muajin maj 2024.

Politika jonë promovon bashkëpunimin rajonal ekonomik, si dhe reformat që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet e prosperitet në rajon. Ne do të vazhdojmë të punojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor e partnerët tanë europianë për t’i çuar përpara këto qëllime, gjatë udhëheqjes së Kasanofit, tha zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se Alexander Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës e të Serbisë, si dhe me partnerët europianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqeje e produktive mes dy vendeve.

Që nga data 19 korrik, Kasanof është edhe zëvendës i ndihmësit të sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Europiane dhe Euroazinë të Departamentit amerikan të Shtetit. Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare në internet të DASH-it, ai ka shërbyer si asistent ekzekutiv me ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.

Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili e po ashtu, Ukrainë. Madje, ka marrë dhe çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit e më pas, pushtimit rus të Ukrainës që vijon prej shkurtit 2022.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE