Kuvendi në seancë 2-ditore, e fundit e këtij sesioni parlamentar!
Kuvendi i Shqipërisë sot zhvillon të fundit seancë plenare për këtë sesion parlamentar, e cila parashikohet të vijojë përgjatë dy ditëve. Sipas axhendës së publikuar, pritet që të miratohen emrat e anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve e që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe po ashtu në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri e Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri e Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vlerësohet se që të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit e si lektorë të jurisprudencës. Gjithashtu pritet që të miratohet projektvendimi për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, si dhe zgjatja e afatit të Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up-in në Shëndetësi.
Gjatë seancës së sotme plenare janë planifikuar që të mbahen edhe dy interpelanca. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa do të zhvillojë interpelancë me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Po ashtu, deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me ministrin e Financave, Ervin Mete.
Në rendin e ditës është parashikuar ndër të tjera miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë, si dhe institucioneve që raportuan në Kuvend, në seancën plenare të 18 korrikut.
Parlamenti pritet të miratojë edhe draftin e dakordësuar një ditë më parë mes Partisë Socialiste e asaj Demokratike në lidhje me ndryshimet në Reformën Zgjedhore. Në atë dokument, përcaktohet se “një e treta” e listave të kandidatëve të jetë “e fiksuar” pra e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë, ndërsa pjesa tjetër, pra 2/3 e kandidatëve do të jenë për votim parapëlqyes, me një renditje alfabetike dhe kush merr një votë më shumë shkon i pari.
100 mandate do të jenë të hapura dhe pjesa tjetër e fiksuar, tha në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve përfaqësuesi socialist në Grupin e Dialogut, Damian Gjiknuri.