BE-ja pritet t’i transferojë Ukrainës 1.5 miliard euro për rindërtimin dhe mbrojtjen!
Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur të premten që blloku evropian do t’ia dërgojë Ukrainës 1.5 miliard euro, të cilat i ka siguruar prej aseteve të ngrira ruse në territorin e BE-së.
“Sot, ne transferojmë 1.5 miliard euro të hyra të siguruara prej aseve të ngrira ruse, me qëllim të rindërtimit dhe mbrojtjes së Ukrainës”, ka thënë von der Leyen përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.
“Nuk ekziston mundësi më e mirë për t’i shfrytëzuar paratë e Kremlinit, sesa që ta bëjmë Ukrainën, dhe gjithë Evropën, një vend më të sigurt për të jetuar”.
Pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Perëndimi ka ngrirë asete ruse në vlerë të 276 miliardë eurove.
Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) ka vendosur muajin e kaluar që t’i japë një kredi Ukrainës në vlerë të 50 miliardë dollarëve, me paratë e gjeneruara nga asetet e ngrira ruse.
Moska, në anën tjetër, ka ndërmarrë masa ligjore kundër këtij vendimi. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, është deklaruar mirënjohës ndaj BE-së.
“Faleminderit von der Leyenit dhe BE-së për mbështetjen dhe këtë kontribut të rëndësishëm për mbrojtje dhe rindërtim të Ukrainës. Së bashku, ne jemi duke kthyer armiqësinë në forcë dhe po ndërtojmë një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, ka thënë ai.
Shumica e fondeve të ngrira ruse – rreth 210 miliardë euro – janë duke u mbajtur në Evropë, ndërsa rreth 10 miliardë dollarë janë në Shtetet e Bashkuara.
Asete ruse në vlerë të miliarda dollarëve ka edhe në Japoni dhe Britani.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka reaguar ndaj vendimit të BE-së, dhe ka thënë se Rusia do të kundërpërgjigjet, mirëpo duhet bërë planin me kujdes.