30 të vrarë nga sulmi izraelit në një shkollë në Gazë!

vovalbania July 27, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
30 të vrarë nga sulmi izraelit në një shkollë në Gazë!

Të paktën 30 palestinezë u vranë pasi Izraeli sulmoi një shkollë në Deir al-Balah në Gazën qendrore, siç njoftuan zyrtarët shëndetësorë palestinezë. Ndërkaq, ushtria izraelite bëri të ditur se ka goditur një qendër komanduese të Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë dhe zyra për media e qeverisë së drejtuar nga Hamasi bënë publik numrin e viktimave të sulmit në shkollën në Deir al-Balah, që është një prej zonave më të populluara me palestinezët që janë të zhvendosur. Autoritetet shëndetësore thanë po ashtu se më shumë se 100 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Përmes një deklarate, ushtria izraelite vuri në dukje se ka shënjestuar një “qendër komanduese të Hamasit dhe një qendër kontrolli brenda ndërtesës së shkollës Hadixha në Gazën qendrore”. Përmes njoftimit, Izraeli pretendoi se shkolla është përdorur për të nisur sulme kundër trupave të tij, duke shtuar se ka paralajmëruar civilët para se të kryente sulmin.

Në sulme të ngjashme që ka kryer në të kaluarën ndaj infrastrukturave civile, ushtria izraelite ka akuzuar Hamasin se po i vë në rrezik civilët, duke e akuzuar grupin radikal palestinez se operon brenda lagjeve të banuara, shkollave dhe spitaleve. Hamasi mohon këto akuza.

Më herët gjatë ditës së sotme, autoritetet palestineze në Gazë raportuan për të paktën 12 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në qytetin jugor të Han Junisit. Ushtria izraelite urdhëroi një evakuim të përkohshëm nga disa lagje të Han Junisit, pasi informoi se do të kryejë një operacion ushtarak.

Lufta në Gaza nisi kur më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe duke rrëmbyer afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, deri më tani, në Gaza janë vrarë më shumë se 39 mijë e 100 palestinezë, sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64082 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE