Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga zona humanitare në Gaza!
Ushtria izraelite sot urdhëroi evakuimin e zonave të mbipopulluara të Gazës, të shpallura “humanitare”. Forcat e armatosura të shtetit hebraik bënë të ditur se po planifikojnë një operacion kundër luftëtarëve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian në Han Junis, përfshirë në pjesë të Muvasit, një kamp i improvizuar me tenda ku janë strehuar me mijëra persona.
Urdhri u lëshua në përgjigje të gjuajtjes së një rakete e që Izraeli tha se u lëshua nga kjo zonë. Ky është urdhri i dytë për evakuim i dhënë gjatë kësaj jave për zonat e dedikuara për strehimin e palestinezëve, të cilët janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në pjesë të tjera të Gazës. Shumë palestinezë kanë lëvizur disa herë, si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit.
Të hënën e 22 korrikut, pas një urdhri për evakuim, disa sulme ajrore ruse u kryen përreth Han Junisit, duke vrarë të paktën 70 persona, referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila ka cituar burime nga spitali Nasser.
Kjo zonë është pjesë e “asaj humanitare” me sipërfaqe prej 60 kilometrash katrorë e ku Izraeli u ka thënë palestinezëve që të strehohen, si pasojë e luftës. Pjesa dërrmuese e saj është e mbushur me kampe me tenda, në të cilat ka mungesë të higjienës e të shërbimeve shëndetësore bazë. Palestinezët e strehuar në këtë zonë, po ashtu kanë akses të kufizuar në ndihma, siç kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmës në raportet e deritanishme.
Janë rreth 1.8 milion palestinezë që strehohen në këtë zonë prej 60 kilometrash katrorë, sipas të dhënave të Izraelit. Kjo shifër përbën mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milion banorësh që kishte Gaza para luftës.
Lufta në Gazë nisi kur më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Disa pengje vijon t’i mbajë. Si pasojë e ofensivës izraelite, deri tani, në Gaza janë vrarë më shumë se 39 mijë e 100 palestinezë, sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi.