Pakti PS-PD për ndryshimin e Kodit, Begaj refuzon kërkesën për t’a dekretuar me procedurë të përshpejtuar!
Presidenti Bajram Begaj ka refuzuar kërkesën e Kuvendit për të dekretuar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kur kanë kaluar më shumë se 36 orë nga miratimi me 106 vota pro në Kuvend, pas paktit PD-PS, mungon ende firma e kreut të shtetit, i cili është parë paraditen e sotme të ngjisë shkallët e Presidencës, megjithëse ditë e diel.
Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të mërkurën, eksperti i PS-së, Viktor Gumi i kërkoi kryetares së Komisionit, Klotilda Bushka që të kërkohet autorizimi i Presidentit për hyrjen në fuqi menjëherë, përpara se drafti t’i nënshtrohet votimit.
Por gjatë momentit të votimit, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nuk e njoftoi Kuvendin që Presidenti të kishte dhënë miratimin paraprak për dekretimin, çka do të thotë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të ndjekin procedurën normale të hyrjes në fuqi.
Pasi Presidenti Begaj të hedhë firmën, nëse nuk do t’a rikthejë atë sërish, duhet që Kodi të botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh.